Avokati i Artan Behramit jep detaje për bastisjen e Speciales, e quan kundërkushtetuese

Avokati Artan Qerkini ka thënë se gjatë bastisjeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në shtëpinë e Artan Behramit, këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk është konfiskuar asgjë me relevancë.

Ai tha se kanë parashtruar disa vërejtje gjatë bastisjes dhe tha se do të marrin hapa konkretë ligjorë për ta kundërshtuar atë.

“Nuk është konfisku asgjë me relevancë, imagjinoni janë konfisku iPad-at e fëmijëve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijëve” – tha Qerkini para mediave.

Qerkini po ashtu tha se janë bastisur edhe prona të familjarëve të Behramit, ndonëse siç tha ai, kjo nuk ka qenë në urdhrin për bastisje. Ai shtoi se bastisja po bëhet në banesën e dikujt që nuk e ka statusin e të dyshuarit.

Këtë bastisje, Qerkini e quajti përpjekje të dëshpëruar të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Këto bastisje jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën, Konventën Europiane dhe ligjin, por tashmë e kanë humbur çdo kuptim dhe logjikë, sepse cili person do të mbante në banesën e vet diçka inkriminuese, duke e ditur për këtë gjueti masive të zyrës së prokurorit të specializuar në shtëpitë dhe pronat e shtetasve të Kosovës” – deklaroi ai.

Vendimet për bastisje, sipas avokatit, po merren me lehtësi të madhe, pa e vlerësuar mirë se a ka gjasa reale që në pronën e një personi të gjenden prova me relevancë.

“Pas një analize do të vendosim se në çfarë instanca dhe çfarë lloji të mjetit juridik do të përdorim kundër këtyre bastisjeve” – tha më tej avokati.

Vetë Artan Behrami tha se ky ka qenë një aksion politik, që ka për qëllim mbulimin e dështimeve të Prokurorisë Speciale në Hagë, sipas tij duke u munduar që ta zhvendosë vëmendjen nga Haga në Kosovë.

Ai tha se nuk janë frikësuar as në vitet ’90 nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe nuk frikësohen as tani.

“Agresori në Ballkan është i qartë, është Serbia, jo UÇK-ja” – shtoi Behrami.

Të hënën, Specialja ka kryer bastisje në shtëpinë Bashkim Smakajt, ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, AKI dhe në banesën e (ish) këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ZPS ka thënë se janë duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë, të cilat po mbështeten nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).