PDK nuk e mbështetë projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do ta përkrahë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtshtaku deklaroi se partia e tij është kundër këtij buxheti që sipas tij nuk sjellë alternativë zhvillimore.
“Ne si grup parlamentar nuk do të përkrahim projektbuxhetin e vitit 2024, jemi kundër këtij buxheti që nuk sjellë asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies qytetare”- tha Lushtaku.
“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, e kemi shqyrtuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024 prandaj lirisht mund të themi se buxheti për vitin 2024 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, të bizneseve. Si i tillë duke i madh në shifër, por në një situatë krize jo vetëm ekonimike por edhe të mungesës së lidershipit kur gjithçka është më e shtrenjtë, i lë më të varfër qytetarët e Kosovës”- deklaroi ai.
Ai ka thënë se pushteti në të kaluarën ka thënë se “Nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur”, kurse tani thonë se “Nuk mund të rrisim pagat se jemi të varfër”.
“Në demagogjinë e juaj keni thënë se “Nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur”, ndërsa sot thotë “Nuk mund të rrisim pagat se jemi të varfër” dhe krenohet me buxhet të madh”- u shpreh deputeti i PDK-së.
“Sot flasim për një planifikim që nuk ndikon dhe duhet të ndihmonte por po shihet që planifikimi është as i dobët sa nuk ka asnjë promovim dhe asnjë projekt të ri dhe i cili qytetarët nuk do ja shohin kurrfarë hajri. Buxheti mbetet instrumenti fundamental financiar, me planifikimin e duhur do të ishte edhe mundësi e madhe të ndihmonte popullin drejtëpërdrejtë, buxheti shtetit nuk është hajgare se nëse nuk hartohet si duhet ka fuqinë me përkeqësu gjendjen ashtu siç pritet me ndodhë me këtë buxhet”- theksoi Lushtaku.
Më tej, Lushtaku u shpreh se buxheti është ndarë në ato komuna që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe se sipas deputetit të PDK-së, qytetarët e komunave tjera po trajtohen si të mos ekzistonin fare.
“Buxhetin e keni nda në ato komuna ku ju e keni pushtetin në nivele lokale, sikur qytetarët e qyteteve të tjera të mos ekzistonin fare, sikur që qytetarët e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Ferizajt, e të tjerë qytetarë të cilët po konsiderohen nga kjo qeveri si të dorës së dytë apo të tretë”- tha Lushtaku.
Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere javën e kaluar ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2024.
Kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, ka thënë se ky Projektligj është paraparë të shqyrtohet në lexim të parë në seancën e Kuvendit më 16 nëntor kurse shqyrtimi i dytë, sipas tij, parashihet të bëhet më 14 dhjetor.
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.
Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.