Deputetet, PDK

Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës

PDK-ja propozon draft-rezolutë për mbështetjen e Policisë së Kosovës, LVV-ja e kundërshton të bëhet para diskutimeve

Partia Demokratike e Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës ka propozuar një draft-rezolutë për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës.

Për diskutimin dhe miratimin e saj, u kërkua që të ndryshohet rendi i ditës, në mënyrë që rezoluta të trajtohej si pikë e parë.

Mirëpo për ndryshimin e rendit të ditë kanë marrë pjesë në votim 93 deputetë, 89 prej të cilëve vetëm 36 votuan pro, asnjë kundër kurse 53 deputetë nga pozita abstenuan.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka bërë propozimin e rezolutës para deputetëve, duke thënë se kjo rezolutë përmban tri pika të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës hyn në një agjendë mbështetëse dhe po ashtu edhe Qeveria për Policinë e Kosovës.

“Përmes kësaj rezolute synojmë që ne si grup parlamentar i PDK-së në një afat prej dy jave të ja prezantojmë Kuvendit Ligjin për pensionim të parakohshëm për Policinë e Kosovës, po ashtu përmes kësaj rezolute do të kërkojmë që nga 1 janari i 2024-tës të buxhetohet një buxhet i mjaftueshëm për sigurimin shëndetësor për Policinë dhe e treta, që është një obligim institucional ndaj Policisë, të përmbushet obligimi sa i përket shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës”- tha Tahiri

Deputeti u shpreh se konsideron që rezoluta do të ketë mbështetje që të jetë si pikë e parë e rendit të ditës.

“Konsideroj që janë mjaft të arsyeshme, sot si Kuvend duhet të marrim përsipër një agjendë të tillë që institucionet që i përmenda t’i kryejnë obligimet në raport me Policinë e Kosovës. Konsideroj që do ta kemi mbështetjen tuaj, ta kalojmë këtë rezolutë dhe të jetë pikë e parë e rendit të ditës, diskutimi i kësaj rezolute”- tha Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se e vlerësojnë dhe shprehin mbështetje të pa rezervë për Policinë e Kosovës.

“E vlerësojmë dhe shprehim mbështetje tonë të pa rezervë për Policinë e Kosovës, siç e tha edhe deputeti Tahiri, javën e kaluar kemi treguar unitet të përbashkët si Kuvend në raport me të gjitha ngjarjet që karakterizuan veriun që kishte heronj pjesëtarë të Policisë”- tha ajo.

Kusari Lila ka kërkuar që të gjitha grupet parlamentare të ulen dhe të kenë një diksutim të detajuar.

“Nuk është ideja që të përplasemi ose debatojmë në atë se kush dhe sa mendon se e përkrah Policinë e Kosovës, besoj se aty s’kemi dallim. Por që të vendosim menjëherë si pikë e rendit të ditës me kërkesat të cilat siç u prezantuan kanë edhe implikime buxhetore edhe procedurë ligjore të diskutojmë në mënyrë që të kemi një hartëzim të mirëfilltë të kohës dhe agjendës legjislative”- u shpreh Kusari-Lila.

“Ne gjithsesi qëndrojmë të gatshëm të kontribuojmë, por kërkojmë që para se të fillojmë me një debat, të kemi konsultime tona në mënyrë që të dalim bashkërisht dhe të kemi të përbashkët mbështetjen për Policinë”- shtoi deputetja.

Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se nuk po e kupton nëse Kusari-Lila është pro ose kundër rezolutës.

“Me thënë të drejtën nuk e kuptova kryetaren e grupit parlamentar të LVV-së se a është për a kundër me shti në rend të ditës. Propozimi është konkret, është propozim që jemi në dijeni paraprakisht, e kemi diskutu edhe në Kryesi të Kuvendit”- tha Gashi.

Gashi vlerësoi se [propozimi i PDK-së, i plotëson kushtet formale dhe juridike për të hyrë në rend të ditës.

“Propozimi ne si grup parlamentar mendojmë se i plotëson kushtet formale juridike për të hyrë në rend të ditës, pastaj në seancë diskutojmë debatojmë shohim pikat e përbashkëta, se çka mund ti hiqet , çka ti shtohet, si mund të përmirësohet dhe vijmë me një konkluzion të përbashkët. Pra grupi parlamentar i LDK-së vlerëson se ky propozim i përmbushë kushtet që të hyjë në rend dite sot”- theksoi Gashi.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se grupi i tij e mbështetë kërkesën e PDK-së dhe se kërkesa e tyre është legjitime.

“Grupi parlamentar i AAK-së normal që e mbështetë këtë kërkesë të kryetarit të GP të PDK-së. Është kërkesë e drejtë, është legjitime, është kërkesë e cila e detyron Kuvendin t’i len pollavrat, t’i len diskutimet, t’i len komplimentet por të merr vendime konkrete”- deklaroi Tahiri.

“Ne si grup i kemi mbledh 41 nënshkrime dhe i kemi gati për një temë tjetër që lidhet me Policinë dhe me personelin e sigurisë që lidhet me ngritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro. AAK e ka pasë një mbështetje vitin e kaluar, ne kërkojmë ta diskutojmë edhe ne me grupet parlamentare për koeficientin “- tha mes tjerash Tahiri.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit PDK-ja kishte paralajmëruar se do të prezantojë në Kuvendin e Kosovës një draft–rezolutë me disa kërkesa për Policinë e Kosovës.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar ka diskutuar për situatën në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Përmes një rezolute, Kuvendi i Kosovës e ka dënuar me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar shtetin e Serbisë me rolin e saj në ketë rast.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

 

PDK do t’i propozojë Kuvendit një draft–rezolutë për Policinë e Kosovës