Grupi Parlamentar i PDK-së. Foto: Kuvendi i Kosovës
PDK do t’i propozojë Kuvendit një draft–rezolutë për Policinë e Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës do të prezantojë në Kuvendin e Kosovës një draft–rezolutë me disa kërkesa për Policinë e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo draft–rezolutë e cila do të prezantohet në seancën e të enjtes, përmban tri kërkesa që lidhen me funksionalitetin dhe efikasitetin e Policisë.
“Do të prezantojmë draft-rezolutë që obligon qeverinë që ti përfundoj shtesat që nuk janë paguar tash e tetë muaj për Policinë e Kosovës. Pikë e dytë do të jetë buxhetimi për sigurimin shëndetësor për Policinë e Kosovës, është e rëndësishme të fillojë nga janari 2024. Dhe ligji për pensionim të parakohshëm të Policisë e Kosovës”- ka thënë ai.
Sipas Tahirit, Policia ballafaqohet me situata të ndishme, sulme terroriste siç ndodhi më 24 shtator 2023.
“Të mos i duartrokasim Policisë e të bëjmë fotografi me ta, por të marrim hapa konkret që ata të marrin trajtimin e duhur nga Qeveria e Kosovës”- tha Tahiri.
Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se siguria në vend pas ngjarjeve të fundit kërkon një reflektim më serioz.
Ai ka shtuar se AAK ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të kërkojnë rritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro.
“Të parët që do të preken janë Policët e Kosovës shohim të rëndësishme që tani të kalojmë nga fjalët në vepra. Në këtë funksion besojmë që do të kemi mbështetje nga të gjithë deputetët edhe ata të shumicë”- tha ai.
Kuvendi i Kosovës, javën e kaluar ka diskutuar për situatën në veri pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Përmes një rezolute, Kuvendi i Kosovës e ka dënuar me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023 dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar shtetin e Serbisë me rolin e saj në ketë rast.
Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.