PDK dhe AAK nuk votojnë për rendin e ditës, dështon raportimi i ministrit Krasniqi në Komision

Në mungesë të kuorumit për të votuar rendin e ditës, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Për rendin e ditës votuan pesë deputetë ndërsa tre deputetë nuk morën pjesë në votim.

Deputetët Hajdar Beqa e Rashit Qalaj nga PDK dhe Albana Bytyçi nga AAK nuk votuan për këtë pikë.

Rendi i ditës u hodh në votim dy herë, herën e parë pro votuan katër deputetë.

Kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami vendosi që të prisnin disa minuta derisa të vinin deputetët tjerë në mënyrë që të mundësohet kuorumi, por as pas ardhjes së deputetit nga LVV Visar Korenica, për rendin e ditës nuk pati kuorum të mjaftueshëm.

“Duke marrë parasysh që disa deputetë nuk po votojnë ne nuk kemi kuorum për të votuar rendin e ditës. Ministër me vjen keq. Nuk kemi kuorum. Unë këtu po e mbyll meqë disa deputetë qenkan jashtë vendit”- tha Bajrami.

Ministri  i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka qenë i ftuar në këtë mbledhje për të raportuar për Shqyrtimin e Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal, për vitin 2022.

Në rend të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022 ku të ftuar kanë qenë Bordi i ZRRE-së.

Ndryshe, mbledhja e sotme është e para për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës i cili ka filluar javën e kaluar.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votime, “deri në seancën kur do të shpërbëhet Kuvendi”.