ILUSTRIM - FOTO KALLXO: Punëtorët kosovarë
Pasiguria në punë, iniciohet rast ndaj një personi dhe ndalohen punimet
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se të mërkurën më 03.04.2024, ka identifikuar një objekt në Hajvali, në të cilin po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës.
Sipas komunikatës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj një personi, ndërsa, me vendim të Inspektoratit të Punës, janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës.
Prokuroria tutje ka njoftuar se nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Prokurori i Shtetit është i përkushtuar dhe do të vazhdojë që përmes bashkëpunimit me Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera shtetërore të ndërmerre veprime në saje të kompetencave ligjore, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe edukimit të shoqërisë, si dhe parandalimit të veprave penale të kësaj natyre” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë më 04.04.2024