Pas interesimit të Kallxo.com largohen shportat e mbeturinave nga prona e Qendrës së Studentëve në kryeqytet

Disa shporta të mbeturinave ishin lënë nën platonë e Mensës së Studentëve në kryeqytet.

Këto shporta në bazë të pamjeve duket sikur ishin hedhur për të mos u shfrytëzuar më.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se këto shporta ka më shumë se dy muaj që janë lënë aty.

“Këto shporta nuk janë të Qendrës së Studentëve. Ka mbi dy muaj që janë aty, i kemi thirrë disa herë që t’i largojnë, por nuk kanë marr asnjë  hap”- ka deklaruar Sfishta.

Pas interesimit të KALLXO.com, nga Kompania ‘Pastrimi’ është bërë e ditur se janë larguar ato shporta, përkundër se nuk janë lënë aty nga punëtorë të kësaj kompanie.

”Ju informojmë se pas pranimit të kërkesës suaj, ekipet e KRM “Pastrimi” Sh.A – Prishtinë menjëherë janë angazhuar në largimin e këtyre shportave përkundër faktit se kjo nuk është në përgjegjësinë tone”- thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas ‘Pastrimit’ këto shporta janë lënë nga një operator i Komunës së Prishtinës – “Dardania” Sh.P.K. dhe se pronari i kësaj kompanie u është ankuar se përse ua kanë larguar shportat.

Ekrem Gashi nga kompania “Dardania” në një deklarim për KALLXO.com ka thënë se kanë kontratë me Komunën për pastrim të zonës së “Bregut të Diellit” dhe ka disa vite që shportat  i lënë aty.

Sipas tij, meqenëse ka raportime se u pengojnë nuk do i lënë edhe më tutje. Tutje, ai tha se nuk i janë ankuar kompanisë ‘Pastrimi’ për largim të tyre.

Studentët tashmë e kanë përfunduar vitin akademik, por aktualisht në këtë pjesë rrinë studentë që po marrin pjesë në shkollën verore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.