Takimi mes presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Jashtëm të Sudanit të Jugut, James Pitia Morgan, Foto: Vjosa Osmani/X

Osmani u takua me ministrin e Jashtëm të Sudanit të Jugut, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit të Jugut, James Pitia Morgan, më 02.03.2024.

Sudani i Jugut nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të presidentes Osmani në platformën X, me ministrin Morgan diskutuan për bashkëpunimin mes Kosovës e Sudanit të Jugut dhe se Kosova është e përkushtuar për partneritete të reja.

“Përgjatë takimit tonë me ministrin e Jashtëm të Qeverisë së Sudanit të Jugut, James Pitia Morgan, diskutuam potencialin e forcimit të bashkëpunimit në mes vendeve tona. Kosova është e përkushtuar të vazhdojë ndërtimin e partneriteteve të reja me të gjitha shtetet anembanë globit” – është shprehur presidentja Osmani.

Këtë takim presidentja Osmani e ka zhvilluar në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Turqi, ku po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias.

Presidentja Osmani ka shkuar në Turqi më 01.03.2024, për të marrë pjesë në këtë Forum, me ftesë të presidentit Erdogan.

Së fundi, Osmani është takuar me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, me të cilin tha se kanë rikonfirmuar përpjekjet e përbashkëta për të thelluar bashkëpunimin në mes Kosovës e Turqisë.

Ajo u takua edhe me ish-presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin ka folur për situatën në Ballkan me theks të veçantë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të këtij Forumi, më 01.03.2024 Osmani është takuar edhe me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Forumi Diplomatik i Antalisë i ka zhvilluar punimet nga data 1 deri më 3 mars 2024.