Bislimi ligjëroi në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij në Budapest të Hungarisë ishte i ftuar në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare (HIIA). Bislimi atje ligjëroi dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të institutit, pjesëmarrës në audiencë ishin edhe diplomatë, njohës të çështjeve ndërkombëtare e studentë.

Sipas një komunikate për media, në fjalën e tij hyrëse zëvendëskryeministri “përmedi shkallën impresionuese të uljes së papunësisë në vend, si dhe rritjen ekonomike e indikatorët makro ekonomikë pozitiv të cilët përmirësuan performancën e shtetit në tri vitet e fundit”.

“Duke theksuar se regjistrimi i popullsisë i cili po zhvillohet është i rëndësishëm për pajisjen me të dhëna të sakta e ngritjen e politikave të mirë targetuara, ai shtoi se në vazhdimësi është punuar në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, pa dallim”- thuhet në komunikatë.

Në kumtesë bëhet e ditur se Bislimi ka nënvizuar se zhvillimi që ka njohur Kosova ka ardhur përtej barrierave me të cilat është përballur, dhe se eliminimi i tyre zgjeron mundësitë, kapacitetet e potencialin e vendit për avancim të mëtejshëm demokratik.

Më tej, numri dy i qeverisë ka theksuar se është e rëndësishme të sigurohet që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Temë e ligjëratës ka qenë edhe çështje e liberalizimit të vizave, aplikimi për anëtarësim në Bashkim Europian si dhe objektivat e Kosovës në procesin e integrimit europian.

“Përmendi edhe arritjen e liberalizimit të vizave, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, si dhe synimet e objektivat e vendit në procesin e integrimit evropian në prag edhe të Presidencës së ardhshme të Këshillit të BE-së nga Hungaria, rëndësinë e zgjerimit dhe Planit të Rritjes të BE-së, punën e përpjekjet tona në këtë drejtim si dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”- bëhet e ditur në komunikatë.

Para fillimit të sesionit të diskutimit, zëvendëskryeministri Bislimi u mirëprit në takim edhe nga drejtuesi i këtij instituti, Gladden Pappin.