Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Turqi, do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë. Osmani do të jetë në Turqi me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë Forumit, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”.

Presidenca ka njoftuar po ashtu, se gjatë punimeve të Forumit, presidentja Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, që do të jenë pjesëmarrës të forumit.

“Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë” – thuhet në njoftim.Forumi i këtij viti do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars 2024.