Takimi në mes presidentes Vjosa Osmani dhe ish-presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, Foto: Borut Pahor/X

Ish-presidenti i Sllovenisë u takua me Osmanin, diskutuan për dialogun në mes Kosovës e Serbisë

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, më 02.03.2024, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias në Turqi.

Sipas një njoftimi në platformën X, Pahor diskutoi me presidenten Osmani për situatën në Ballkan me theks të veçantë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ish-presidenti Pahor vazhdon me aktivitetet në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias, ai sot takoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Ata diskutuan për situatën në regjion, veçanërisht ngërçin në dialogun Beograd – Prishtinë” – ka shkruar Pahor.

Presidentja Osmani ka shkuar në Turqi më 01.03.2024, për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë, me ftesë të presidentit Erdogan.

Së fundi, Osmani është takuar me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, me të cilin tha se kanë rikonfirmuar përpjekjet e përbashkëta për të thelluar bashkëpunimin në mes Kosovës e Turqisë.

Në kuadër të këtij Forumi, më 01.03.2024 Osmani është takuar edhe me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Forumi Diplomatik i Antalisë i ka zhvilluar punimet nga data 1 deri më 3 mars 2024.