Vjosa Osmani - Foto: KALLXO.com

Osmani takohet me Dakën, flasin për organizimin e zgjedhjeve 

U.d. presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Sipas një njoftimi për media, në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas rrethanave të krijuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

U.d. presidentja Osmani diskutoi me znj. Daka lidhur me takimet preliminare të zhvilluara me subjektet politike dhe e njoftoi se ajo do ta caktojë datën e zgjedhjeve menjëherë sapo aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi, pas dorëzimit tek palët.

Presidentja potencoi rëndësinë e veprimeve të shpejta për procesin e votimit për qytetarët e vendit të cilët jetojnë në mërgatë.

Sipas u.d. presidentes Osmani, bashkatdhetarëve tanë duhet t`u ofrohet sa më shpejtë mundësia për t`u regjistruar për votim, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme që votat e tyre të arrijnë në KQZ sipas afatit të paraparë.

Kosova shumë shpejt pritet të mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.