Osmani para deputetëve kërkon unifikim pa dallime partiake e ideologjike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u është adresuar të premten deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo para përfaqësuesve të popullit mes tjerash kërkoi unifikim për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Osmani deklaroi se viti 2023 ishte jo i lehtë për Kosovën, duke theksuar sigurinë e vendit dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Ky sulm sipas Osmanit ka ekspozuar fytyrën e vertetë të Serbisë, e cila sipas saj nuk është e interesuar për paqe, fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të dialogut.

“Në këtë kohë kur është sfiduar siguria në gjithë rajonin tonë. Në këtë ballafaqim terroristet vranë Afrim Bunjakun. Ata vranë një por mobilizuan djemë e vajza nga Policia jonë të cilët dhanë mesazh të qartë, Kosova nuk zbrapset, nuk thyhet. Askush dhe asgjë nuk do ta largoj republikën për ta shtrirë sundimin e ligjit në territorin tonë”- deklaroi Osmani.

“Askush dhe asgjë nuk do e nuk do e largojë Republikën tonë nga aspirata legjitime për ta shtrirë sovranitetin dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin dhe nuk do e largojë Kosovën nga përpjekja që këtë vend ta bëjmë të sigurtë dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët pa dallim”- shtoi Osmani.

Osmani shprehu mirënjohje për Policinë, AKI-në dhe të gjitha institucionet për ndaljen e agresionit në Banjskë.

“Fatkeqësisht Politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit, prandaj ambiciet hegjemoniste nuk kanë marr fund. Banjska ishte paralajmërim dhe Serbia nuk do heq dorë nga planet e saj të errëta. Serbia po e godet gjithë Evropën sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim të godasin BE-në dhe NATO-n me destabilizim të Ballkanit Perëndimor”- tha Osmani.

Presidentja kërkoi që të gjithë të qëndrojnë së bashku kundër përpjekjeve për të goditur Republikën.

Ajo shton se në këto situata nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike.

“Procesi i dailogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jo konstruktiviteti, obsruksioni dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë jostabilitet. Mungesa e balancit dhe trajtimi jo të barabartë i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta jo proporcionale që prekin intersin e qytetarëve, duke mos u vënë masa ndaj Serbisë, po inkurajohet që të vazhdojë me dhunë”- tha Osmani.

Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do jetë goditje për vetë kredibilitetin e procesit të dialogut, sipas Osmanit.

Ajo ka kërkuar nga të gjitha partitë të dërgojnë komentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Së fundi Kosovës i është dorëzuar një draft statut për një asociacion të komunave më shumicë serbe, përderisa vlerësimi i hartuesëve është se ky draft është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet të bëjë këtë vlerësim është Gjykata Kushtetuese, është më rëndësi që të gjthë bashkë të ulemi dhe përgatisim komentet tona për shqetësimet që mund t`i kemi e t`i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese kurdo që dorëzohet”- deklaroi ajo.

“Qëllimi ynë është që të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo autonomi tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit, prandaj kam ftuar në takim edhe liderë të partive opozitare  që për këtë temë të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar”- shtoi Presidentja Osmani.

Fuqizimi i aleancave me ndërkombëtarët është prioritet i saj sipas Presidentes Osmani.

“Kemi arritur suksesshëm të konfirmojmë nga 100% të njohjeve për çdo rast kur Serbia pretendonte kinse çnjohje të shtetit tonë e të ndërtojmë aleanca me shtete që së shpejti pritet të marrin këtë vendim. Sot kur sfidat që Kosova ka përpara nuk po zvogëlohen Kosova duhet të fuqizojë e vlerësoj aleancat, bashkëpunimi me bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momente më të rënda të historisë sonë nuk është nënshkrim e as dobësi, është veprim në shërbim të shtetit”- tha ajo.

Osmani kërkoi që anëtarësimi në NATO të jetë prioriteti numër një i Kosovës.

“Është po ashtu shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe shtetin shqiptar ta kemi aleat strategjik në përballje me sfidat që kemi përpara”- deklaroi Osmani.

Presidentja e Kosovës shton se Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve atje.

“Kam vazhduar të ngris çështjen e shqiptarëve të Preshevës Bujanovcit dhe Medvexhës që po përballen me diskriminim mbi baza etnike, kam kërkuar reagim të Bashkësisë Ndërkombëtarë kundrejt spastrimit etnik me shlyerjen e adresave me qëllim të ndryshimit të demografisë”- tha Osmani.

Osmani tregoi se ka propozuar që në ligjin e ri për shtetësi të parashihen lehtësira në procedura për marrjen e shtetësisë për shqiptarët nga Lugina e Preshëves.