Foto: ZPRK
Osmani në Amerikë takon Chollet dhe Escobar, flasin për dialogun Kosovë-Serbi
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, sipas një komunikate për media, Osmani ka zhvilluar diskutime përmbajtjesore lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.
Presidentja në takim ka vlerësuar se suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.
“Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-ve, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”- ka theksuar Osmani, sipas komunikatës.
Më tej, Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe potencoi se Kosova është e interesuar të ecë përpara në rrugëtimin euroatlantik, me mbështetje dhe koordinim me aleatët.
Ndërkaq, përmes një postimi në X (ish-Twitter), këshilltari Chollet ka thënë se me Osmanin kanë diskutuar për përkushtimin e përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Diskutime të mira me presidenten Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në Dialogun e Lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe integrimit në BE”- ka shkruar Chollet.
Presidentja Osmani po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Good discussion with President @VjosaOsmaniPRKS on our shared commitment to Kosovo’s Euro-Atlantic future, the need to de-escalate tensions, and engage urgently in the EU-Facilitated Dialogue to normalize relations with Serbia – the key to regional stability and EU integration. pic.twitter.com/vMHxk2mcsT
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 19, 2023