Osmani: Me Betejën e Koshares u arrit ëndrra shekullore për thyerjen e kufirit shqiptaro – shqiptar

Beteja e Koshares shënon një ndër betejat me të suksesshme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë. Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që i dedikohet kësaj beteje.

E para e shtetit deklaroi se më 9 prill 1999 u arrit ëndrra shekullore, thyerja e kufirit shqiptaro – shqiptar.

“Beteja e Koshares ishte më shumë sesa rezistencë, ishte një kryengritje civile për lirinë si e drejtë themelore e cila vuri bazat për rezistencën e armatosur të udhëhequr nga mijëra çlirimtarë që i dolën zot atdheut. Beteja e Koshares shënoi një ndër betejat me të suksesshme të luftës së UCK-së kundër forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë. Më 9 prill 1999 nën udhëheqjen e oficerëve profesionist si Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Cekaj, Anton Quni e shumë të tjerë arritën ta realizojnë ëndrrën shekullore, thyerjen e kufirit shqiptaro – shqiptar”- ka thënë ajo  më 04.04.2024.

Osmani tha se janë mbledhur sot në Kuvend për të nderuar guximin dhe përkushtimin e vajzave dhe djemve të UÇK-së për liri.

Sipas saj, kësaj rezistence të armatosur i parapriu rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Ajo ka përmendur edhe rënien e heroit të Kosovës, Agim Ramadani për të cilin tha se ishte frymëzim i të gjithë luftëtarëve.

“Pas dy ditë luftimesh ra strategu i papërsëritshëm ushtarak, frymëzuesi i të gjithë luftëtarëve, piktori, poeti e artisti shumë dimensional, Agim Ramadani, komandant ‘Katana’, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138”- tha ajo.

Në nderim të dëshmorëve të Betejës së Koshares, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në seancën solemne më 04.04.2024.

Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Ramadani, i njohur edhe me nofkën ‘Katana’, ishte nga Zhegra e Gjilanit. Ai ishte artist e shkrimtar. Studioi në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Pas shpërthimit të luftës në Kosovës iu bashkua UÇK-së, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138, deri në ditën e rënies së tij, në Koshare në prill të 1999. Pas luftës iu dha titulli Hero i Kosovës.