Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Osmani: Draft-Statuti i BE-së për Asociacionin s'është në përputhje me Kushtetutën, as me vlerat e BE-së

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përpiluar nga Bashkimi Europian, “nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, as me normat dhe vlerat e BE-së dhe të Këshillit të Europës dhe as nuk është në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Asociacionin”.

Kështu tha ajo në një Konferencë për media me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, kur u pyet në lidhje me takimin që ka mbajtur me emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen dhe vërejtjet për këtë draft-Statut, të cilat ia ka paraqitur gjatë takimit, që u mbajt më 17.03.2025.

Osmani u shpreh se Sorenseni gjatë takimit në Prishtinë më shumë është informuar për këtë çështje dhe se takimi ka qenë i formatit prezantues. 

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs shpreson që këtë vit të hapet një kapitull i ri në Dialogun Kosovë- Serbi. Sipas tij, Dialogu është forma e vetme, jo vetëm për t’u pajtuar dy shtetet dhe për të arritur Marrëveshje politike, por edhe për t’u anëtarësuar në BE.

Rinkēvičs e cilësoi Dialogun si temë shumë të ndjeshme.

“Dialogu është zgjidhja e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Nëse duam ta arrijmë atë qëllim, duhet që të dyja palët të angazhohen.” – shtoi ai.

Pas takimit të mbajtur më 17.03.2025, Sorenseni u tregua fjalëpak. Nuk mbajti Konferencë për media për të shpalosur se çka diskutuan, mirëpo përmes një deklarimi të shkurtër për media e quajti “një fillim të mirë” – duke treguar se bisedën e patën rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar.” – tha ai në një deklarim për media.

Më 18.03. 2025, shënohen dy vjet qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.