Opozita lëshoi sallën, Kuvendi mbyll punimet për shkak të mungesës së kuorumit

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e sotme në mungesë të kuorimit, pas largimit të partive opozitare nga salla e seancave plenare.

Pas pauzës dy-orëshe, deputetët opozitarë të PDK-së e LDK-së u rikthyen në sallë për të deklaruar më pas që refuzojnë të marrin pjesë në punimet e seancës së sotme.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë për shkak të mos votimit për të përfshirë në rend të ditës një draft-rezolutë për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës.

Ndërsa, nga LDK deputeti Arben Gashi tha se për të dalë nga kjo situatë duhet duhet një kompromis politik.

“Duhet të ulemi dhe të diskutojmë se si të shkojmë përpara. Cilat janë zgjidhjet e mundshme? Zgjidhja e parë e mundshme në këto situata gjithmonë janë zgjedhjet, e dyta është zgjerimi i kolaicionit që është çështje e juaj, dhe e treta është shpërndarja e vullnetshme e Kuvendit. Nuk ka zgjidhje tjetër”- tha ai.

Pas largimit të partive opozitare, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorumin e mjaftueshëm të vazhdoj seancën vetëm me deputetëtët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se të pranishëm në Kuvend janë vetëm 53 deputetë.

“Ju liroj prej Kuvendit, kur të bëheni 61 tregomëni”- u shpreh Konjufca për deputetët e shumicës.

Partia Demokratike e Kosovës në seancën e Kuvendit të Kosovës, sot ka propozuar një draft-rezolutë për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës.

Për diskutimin dhe miratimin e saj, u kërkua që të ndryshohet rendi i ditës, në mënyrë që rezoluta të trajtohej si pikë e parë.

Mirëpo për ndryshimin e rendit të ditë kanë marrë pjesë në votim 89 deputetë, prej të cilëve vetëm 36 votuan pro, asnjë kundër kurse 53 deputetë nga pozita abstenuan.

PDK-ja propozon draft-rezolutë për mbështetjen e Policisë së Kosovës, LVV-ja e kundërshton të bëhet para diskutimeve