Gaza, 12 tetor 2023, Foto: REFL/REL

Opinion nga Washington Post: Lufta e Izraelit në Gaza dhe fantazma e 'gjenocidit'

Në protestat në mbarë botën, në korridoret e Kombeve të Bashkuara dhe në dhomat plot frustrim të mediave sociale, një fjalë po bëhet gjithnjë e më e fortë: gjenocid. Kjo është ajo që kritikët e ofensivës së Izraelit kundër grupit islamik Hamas thonë se shteti hebre po bën në shkatërrimin e Rripit të Gazës, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë. Gjatë fundjavës, demonstruesit sulmuan një portë të Shtëpisë së Bardhë me bojë të kuqe, në një mesazh për administratën e Bidenit për gjakun e perceptuar në duart e saj për mbështetjen e vendosur ndaj Izraelit. Duke i dënuar veprimet e Izraelit, qeveritë në Brazil, Afrikën e Jugut dhe Kolumbi, ndër të tjera, kanë evokuar në mënyrë eksplicite fjalën “gjenocid” për ta shpjeguar zemërimin e tyre.

Fushata dërmuese e Izraelit kundër Hamasit ka çuar në shkatërrimin e gjerë të Gazës së rrethuar, duke shkaktuar një krizë humanitare. Bombardimet izraelite kanë vrarë tani më shumë se 10,000 palestinezë në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë në territorin e udhëhequr nga Hamasi, më shumë se një e treta e të cilëve janë fëmijë. Të gjallët e gjejnë veten të bllokuar në një makth mbeturinash dhe sëmundjesh në rritje, me mungesë të energjisë elektrike, ujit dhe ushqimit të pamjaftueshëm.

Hamasi është përgjegjës për ditën e vetme më vdekjeprurëse në historinë e popullit hebre që nga Holokausti, pasi kreu sulmin e tij të 7 tetorit në qytete dhe në lokalitetet e quajtura Kibuci në jug të Izraelit – një tërbim i tmerrshëm që rezultoi me familje të tëra të masakruara, civilë, të djegur në shtëpitë e tyre dhe më shumë se 240 pengje të rrëmbyer. Për udhëheqjen izraelite, si dhe publikun izraelit, masakra e paprecedentë kërkonte një përgjigje të paprecedentë. Zyrtarët e shquar izraelitë kanë bërë thirrje jo thjesht për humbjen e Hamasit, por për asgjësimin e Gazës, vdekjen e popullatës së saj përmes urisë dhe largimin e palestinezëve nga një pjesë ose nga i gjithë territori i saj. Presidenti izraelit ka sugjeruar se civilët në territorin e kontrolluar nga Hamasi nuk janë “të pafajshëm”.

Një retorikë e tillë ka alarmuar një mori ekspertësh ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve pretendojnë se Izraeli është tashmë potencialisht fajtor për krime lufte në dënimin kolektiv të palestinezëve që jetojnë në Gaza dhe bombardimet e shtëpive të civilëve. “Ne mbetemi të bindur se populli palestinez është në rrezik të madh të gjenocidit”- ka shkruar një grup i raportuesve aktualë të posaçëm të OKB-së për të drejtat e njeriut në një deklaratë javën e kaluar që bëri thirrje për një armëpushim. “Koha për veprim është tani. Aleatët e Izraelit mbajnë gjithashtu përgjegjësi dhe duhet të veprojnë tani për ta parandaluar kursin e tij katastrofik të veprimit”.

Megjithatë, një armëpushim nuk shihet ende në horizont. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përfundoi të hënën turneun e tij të fundit në kryeqytetet e Lindjes së Mesme pa ndërprerë as një “pauzë” humanitare në armiqësitë që mund të lejojnë më shumë ndihma për të hyrë në Gaza ose për lirimin e pengjeve. Administrata Biden e gjen veten duke e mundësuar dhe duke e furnizuar një makineri luftarake izraelite të prirur për një “hakmarrje të fuqishme”, siç e ka thënë kryeministri Benjamin Netanyahu, ndërsa gjithashtu, në marrëdhëniet private, përpiqet ta frenojë Izraelin që të kërkojë një çmim edhe më të madh për civilët palestinezë. Shumë vëzhgues dhe dëshmitarë nuk janë të impresionuar nga rezultatet dhe shohin një dorë amerikane në rritjen e numrit të vdekjeve në Gaza.

Izraeli pretendon se po ndërmerr hapa për t’i kufizuar viktimat civile dhe shënjestëron vetëm pozicionet e militantëve, megjithëse ky pretendim është i vështirë të përballet me një katalog të sulmeve izraelite në lagjet e mbushura me civilë, spitalet dhe objektet e OKB-së. “Megjithëse zyrtarët izraelitë këmbëngulin që çdo sulm i nënshtrohet miratimit ligjor, ekspertët thonë se rregullat e angazhimit, të cilat janë të klasifikuara, duket se përfshijnë një prag më të lartë për viktimat civile sesa në raundet e mëparshme të luftimeve”- raportuan kolegët e mi.

Edhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e pranojnë se ka një lirshmëri në qasjen e Izraelit. “Ne kemi parë disa indikacione se ka përpjekje që po aplikohen në skenarë të caktuar për t’i minimizuar, por nuk dua ta mbivlerësoj këtë”- u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

një Webinar, ish-diplomati amerikan Dennis Ross sugjeroi që administrata e Bidenit t’i shikojë ngjarjet e 7 tetorit si një shprehje të “së keqes së pandryshuar” të Hamasit dhe pranon se Izraeli nuk duhet “të jetojë edhe më tutje me kërcënimin e Hamasit”. Për këtë qëllim, zyrtarët kanë qenë shumë më tolerantë publikisht ndaj humbjes së jetëve të civilëve palestinezë sesa do të ishte një administratë amerikane në shumicën e konteksteve të tjera.

Të evokuarit e “gjenocidit” është gjithmonë një akt i ngarkuar, dhe aq më tepër kur diskutohen veprimet e shtetit të Izraelit. Vendi që doli nga hiri i gjenocidit më të tmerrshëm në historinë njerëzore sheh në Hamas një armik që dëshiron që Izraeli të fshihet nga harta dhe dëshiron të vrasë hebrenjtë kudo që të mundet. Kritikët e saj e shohin ushtrinë më të fuqishme në Lindjen e Mesme, të mbështetur nga solidariteti i shumicës së qeverive perëndimore, duke kryer atë që mund të jetë de facto spastrim etnik.

“Lufta është një luftë kundër gjenocidit asimetrik”- shkroi Martin Shaw, studiues i shquar i gjenocidit, në revistën New Lines. “Vrasjet e Hamasit të civilëve izraelitë përbënin një valë “masakrash gjenocidale”, vrasje masive të lokalizuara, viktimat e të cilave përcaktoheshin nga identiteti i tyre izraelito-hebre”.

Nga ana tjetër, shtoi Shaw, bombardimet dhe pushtimi i Gazës nga Izraeli “e ka prekur të gjithë popullsinë e territorit, shumë më gjerësisht dhe më thellë (përveç në kuptimin moral dhe emocional) sesa popullsia izraelite është prekur nga dhuna e Hamasit”.

Ka edhe disbalanca të tjera. Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, zyrtarët perëndimorë shpejtuan t’i cilësonin veprimet e Kremlinit si “gjenocid”. Presidenti Biden e përdori për herë të parë këtë term në prill të vitit 2022 në kontekstin e vrasjes masive të civilëve nga Rusia në qytetin e Bucha dhe bombardimeve vdekjeprurëse të Mariupolit, një qytet ku besohet se mijëra janë vrarë. Zyrtarët rusë, në atë kohë, e fajësuan ushtrinë e Ukrainës për përdorimin e civilëve të saj si “mburoja njerëzore”.

Mirëpo, pamjet e shpërthyera të hënës të pjesëve të Gazës nuk duken të ndryshme me atë që Rusia e reduktoi Mariupolin dhe shumë nga kritikët e Izraelit e frenojnë mospërputhjen e perceptuar të Perëndimit. “Është me të vërtetë e rëndësishme që OKB-ja, e cila është roje e këtyre normave dhe standardeve ndërkombëtare, ta quajë të themi, një lopatë ashtu siç është në fakt, pra lopatë, dhe kur keni një rast kaq të qartë si ky, termi ‘gjenocid’ duhet të përdoret”- ka deklaruar për MSNBC gjatë fundjavës Craig Mokhiber, ish-drejtori i zyrës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Nju Jork.

Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë mund të tallen me sugjerimin e një “rasti të qartë” të tillë gjenocidi, por lufta ua ka përkujtuar shumë njerëzve jashtë Perëndimit kufijtë e moralizmit perëndimor. “Kam kaluar udhëtimet e mia në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine gjatë dy viteve të fundit duke u përpjekur t`i bindur njerëzit që takova për drejtësinë e kauzës së Ukrainës”- shkroi në Twitter Bruno Maçães, komentator i hapur gjeopolitik dhe ish-ministër i qeverisë portugeze. “Një gjë e tillë nuk është më e mundur (nëse nuk dëshironi që njerëzit të qeshin me ju)”./Washington Post

Përgatiti: Nuhi Shala