Operacione kundër korrupsionit, arrestime në Agjencinë për Efiçiencë

Ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Arsim Kuliqi është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate njoftoi se hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot pas disa veprimeve operative dhe hetimore, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin A.K.

Policia shton se i dyshuari në cilësi të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar kontratë rreth realizimi të disa projekteve në Burgun e Dubravës me një kompani në vlerë prej 199,500.00 euro.

“Dyshohet se projektet në Burgun e Dubravës ishin tashmë të realizuara në vitet 2016-2018, (në Pavionin 4, vlera  271,466.66 €- realizuar në vitin 2016-2018, në Pavionin 6, vlera 233,309.00 € – realizuar në vitin 2016-2018 dhe ndriçimin e perimetrit të jashtëm të Burgut të Dubravës, Faza I, në vlerë 15,240.00 €, Faza II në vlerë 18,675.00 € dhe faza V në vlerë 20,000.00 € – realizuar në vitin 2016-2018). Vlen te ceket se në vitin 2021 ndaj personit të njëjtë ishte iniciuar një rast tjetër nga policia”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se i  dyshuari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.

Arsim Kuliqi ishte emëruar si drejtor i AKEE-së në janar të vitit 2019 dhe mbajti pozitën deri në vitin 2022.