Një vit me pandeminë COVID-19

“Konfirmohen dy raste pozitive me coronavirus në Kosovë”, ishin lajmet që qarkullonin në të gjitha mediat vendore një vit më parë.

Askush nuk e dinte se cila është alternativa tjetër tashmë kur virusi kishte dhënë shenjat e para në vendin me më pak se 2 milionë banorë.

Në mendjen e gjithsecilit ishte pikëpyetja “Çka do të ndodh tani?”

Të gjithë në pritje të vendimeve nga Qeveria që në atë kohë udhëhiqej nga Albin Kurti. Pasditen e 13 marsit 2020 Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike morën vendimin e izolimit, i gjithë vendi hyri në karantinë për tre muaj.

Izolimi mendohej si zgjidhja e vetme për parandalim të përhapjes së virusit COVID-19, pasi që shpërndarja e virusit bëhet përmes prekjeve e spërklave.

Zhurmat e veturave, lokaleve e zilet e shkollave nuk dëgjoheshin më, të gjithë të mbyllur në shtëpi, për të mirën e përgjithshme.

Vendosja e maskës, mbajtja e distancës dhe higjienës ishin rregullat strikte që duhej respektonin të gjithë ose në të kundërtën ndëshkoheshin nga Policia e Kosovës, rregulla të cilat janë ende në zbatim.

Pavarësisht masave të ndërmarrura, virusi mori jetë njerëzish, nëntë ditë pas rastit të parë të infektimit, më 22 mars 2020, u shënua edhe vdekja e parë nga coronavirusi, virusi në Kosovë deri më tani la të vdekur mbi 1 mijë 600 qytetarë.

Kapacitetet e klinikave dhe spitaleve në vend

Rastet pozitive me coronavirus rriteshin dita ditës, në të njejtën kohë qytetarët filluan të kërkojnë ndihmë nëpër klinika e spitale për trajtim të infeksionit.

Ndonëse nuk kishte dhe ende nuk ka një tretman të veçantë për coronavirus, stafi shëndetësor u mobilizuan të mjekojnë qytetarët me aq kapacitete sa kishin.

Por, cilat ishin këto kapacitete?

Fatkeqësisht virusi Corona shëndetësinë në Kosovë e gjeti të dobët. 95 respiratorë ishin në përgjithësi në klinikat e QKUK-së e në shtatë spitalet rajonale, respiratorët ishin të nevojshëm për pacientët të cilët kishin probleme me frymëmarrje pasi që virusi shkaktonte probleme në mushkri gjë e cila pasonte me probleme në frymëmarrje.

Klinika për sëmundje ngjitëse apo Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ishte ‘streha’ e parë për të infektuarit, por për shkak të hapësirës së ngushtë dhe rritjes së rasteve për trajtim klinika u mbushë, tani mendohej plani tjetër.

Klinika e Pulmologjisë, Mjekësia Sportive, Mjekësia Intensive Qendrore, Neurologjia hapën dyert për pacientët e infektuar, madje edhe klinika e Gjinekologjisë e ndau një pjesë për pacientet shtatzëna të infektuara me COVID-19.

Staf shëndetësor i kufizuar, shtretër të paktë, hapësira të ngushta, mungesë herë pas here me oksigjen, testime të pakta për COVID, ishin disa nga problemet me të cilat ballafaqoheshin institucionet shëndetësore në vend.

Probleme të ngjashme i përcollën edhe spitalet rajonale në të cilën mjekoheshin pacientët nëpër qytete të ndryshme në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë pati premtuar se do të rregulloj klinikën emergjente për COVID-19, por një premtim i tillë nuk u realizua, madje në këtë tender Gjykata e Tenderëve gjeti shkelje.

MSh pati ndarë 18.6 milionë euro për adaptimin e klinikës së re emergjente për COVID-19.

Barnat për pacientët me COVID-19 që nuk u siguruan nga shteti

Edhe pse nuk ka ndonjë terapi të veçantë për trajtimin e virusit vdekjeprurës, mantelbardhët duhej të trajtonin pacientët varësisht nga simptomat që shfaqeshin pas infeksionit.

Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht ofron rekomandime se çka duhet të përdoret për pacientët e infektuar.

Ilaçi antiviral Remdesivir ishte bari që fillimisht u rekomandua nga OBSh pasi që pati ndikim të mirë por jo definitiv për pacientët e infektuar.

Edhe pse kaluan 365 ditë që kur virusi u shfaq në vendin tonë Ministria e Shëndetësisë nuk arriti të sigurojë barin Remdesivirë për pacientët e infektuar me coronavirus, mirëpo të furnizuara ishin barnatoret private të cilat filluan të bëjnë tregti me këtë ilaç.

KALLXO.com pati hulumtuar për çmimin e këtij bari një ampulë shitej 180 deri në 200 euro nëpër barnatoret private, por pas raportimit çmimi ka pësuar ulje në 50 euro.

Përveç Remdesivirit pati mungesë edhe të barit tjetër Fraksiparinës e gjëra esenciale që nevojiteshin për pacientët, për të cilat pati treguar edhe Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami se është detyruar t’i blejë.

Përveç ilaçeve esenciale, shteti i Kosovës nuk arriti të sigurojë as vaksinën anti-COVID.

Në anën tjetër, Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2021 ndau 40 milionë euro për pandeminë në vend por një gjë e tillë nuk hyri në punë që Kosova të blejë vaksinën kundër coronavirusit.

Vendi ynë është i vetmi vend në rajon i cili ende nuk është furnizuar me vaksinën kundër SARS-CoV-2. Në anën tjetër shifrat e rasteve ditore në vend janë duke kaluar në tre shifror si dhe numri i vdekjeve është në rritje krahasuar me disa javë më parë.

Premtime pati se vaksinat anit-COVID do të vijnë në Kosovë në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk u realizua, ndërsa tani janë duke vazhduar premtimin se këto vaksina do të vijnë këtë muaj.

Kosova pritet të furnizohet me 100,800 mijë vaksina nga kompania Pfizer.

Në anën tjetër frigoriferët për mirëmbajtje të vaksinës kanë arritur, ndërsa vaksinimi do të bëhet në QKUK, IKShPK dhe nëpër QKMF-të në vend.

Mantelbardhët që rrezikun jetën e tyre për të shpëtuar jetën e tjetrit

Stafi shëndetësorë janë cilësuar heronjtë të pandemisë. 24 orë në shërbim të qytetarëve duke u vetëmohuar.

Me mijëra qytetarë në të gjithë vendin janë adresuar nëpër spitale e klinika në vend për të kërkuar ndihëm nga mantelbardhët të cilët ishin në vijën e parë të frontit.

Të veshur me rroba speciale për të mos depërtuar virusi në trupin e tyre ishin mjekët, infermierët e stafi administrativë të cilët ishin në pritje për trajtim të pacientëve.

Fatkeqësisht, virusi arriti të infektojë edhe një pjesë të stafit shëndetësorë. Kah mesi i muajit prill u shfaq rasti i parë pozitiv me coronavirus në Kosovë.

Oda e Mjekëve të Kosovës tregon se nga prilli e deri më tani 1380 mjekë janë infektuar, përderisa 18 prej tyre kanë vdekur si pasojë e infeksionit me coronavirus, madje dy mjekë janë riinfektuar me coronavirus.

Pelurat Sejdiu ka një mesazh për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Mesazhi ynë për qytetarët është se vetëm vetdisciplina do të bëjë ta ruajm vehtën, rrethin dhe sistemin tonë shëndetësorë”, u shpreh ai për KALLXO.com

Në anën tjetër Infektologia në Klinikën infektive në QKUK, Lindita Ajazaj –Berisha e cila që nga fillimi i pandemisë ka qenë në shërbim të qytetarëve, këto 365 ditë thotë se as në ëndërr nuk do të donte t’i përjetonte.

“Vit me shumë sfida dhe vështirësi. As në ëndërr nuk kisha dashtë me e përjetu këtë vit”, u shpreh infektologia për KALLXO.com.

Pandemia që ‘gjunjëzoi’ ekonominë në Kosovë

Ekonomia në Kosovë u ‘gjunjëzua’ pasi që vendi hyri në karantinë dhe të gjitha aktivitet e bizneset u detyruan ty mbyllen.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka treguar se si pasojë e pandemisë Kosova tani është duke u ballafaqur me 6% ulje të ekonomisë, pra vendit i duhen edhe dy vite që të rikthehet në nivelin që ka qenë para pandemisë.

Impakt të keq në ekonomi pati rënia e madhe e vizitorëve nga diaspora dhe turizmit.

Pandemia poashtu ndikoi edhe në mbylljen e 761 bizneseve në vend të cilat kishin të punësuar 1,316 punëtorë.

Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi. Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë nga sektori tregtar shumë- pakicë, industria përpunuese, hoteleria, si edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.

Gastronomia në vend ende punon me orar të kufizuar, sipas masave të fundit të vendosura nga Qeveria, lokalet e gastronomisë në vend mund të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 22:00.

Në shenjë pakënaqësie për ndërprerje të të gjitha aktiviteteve për gastronomët të njejtët patën protestuar para qeverisë me pretekstin se në rast se nuk lejohen të punojnë qeveria duhet të ua mbulojë shpenzimet.

Në anën tjetër, në fillim të pandemisë Qeveria pati vendosur ‘Pako Emergjente’ për disa kategori në vend.

Stafi shëndetësorë i rrezikuar nga virusi e bizneset ishin të parët që përfituan nga kjo pako.

Mësimi online

Më 23 mars të vitit të kaluar, shkollat u mbyllën për të vazhduar me mësim online, nga shtëpia.

Të ballafaqur me probleme nga pandemia e cila ndikoi edhe në procesin mësimor mësimdhënësit u angazhuan që të fillojnë mësimin online për shkollat fillore nga klasa 1 deri në 9.

Nga muaji prill mësim nga shtëpia mbajtën edhe nxënësit e shkollës së mesme si dhe fakultetet në të gjithë vendin.

Pas daljes nga karantina, pandemia ka sfiduar nxënësit dhe mësimdhënësit të mbajnë mësim përmes tre skenarëve, skenari A i cili përfshinë  mësimin në klasë, mësimi B përfshinë mësimin e kombinuar online – klasë dhe skenari C i cili përfshinë mësimin në klasë.

Me ndërprerje e mbarëvajtje të mësimit u sfiduan nxënësit dhe mësimdhënësit në vitin 2020, gjë e cila është duke vazhduar ende, në rast se në një klasë ndonjë nxënës apo mësimdhënës rezulton pozitiv me coronavirus mësimi fillon të zhvillohet online.

Mos respektimi i masave kundër COVID-19

Apelit për mbajtje të maskës nuk e përmbajtën edhe vetë institucionet të cilët i vendosën ato.

Masat ‘u harruan’ kur më 3 shkurt 2021 filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Qindra qytetarë së bashku me politikanët e partive politike u mblodhën nëpër restorante e kafiteria, ani pse këto të fundit nuk u lejuan të punojnë disa muaj për shkak të rrezikut nga virusi coronavirusit.

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në nivel vendi janë rritur javëve të fundit dhe kjo mendohet se erdhi sa pasojë e tubimeve që bën partitë politike në vend, në përjashtim të partisë FJALA e cila nuk mbajti asnjë tubim.

Për këto tubime partitë politike u gjobitën.

Është për t`u çuditur se si masat nuk u respektuan as në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, më 13 dhe 14 janar KALLXO.com kishte hulumtuar në lidhje me mosrespektim të masave në këtë institucion, i cili vet i vendosi masat kundër coronavirusit por nuk i zbatoi ato.

Në këto dy ditë sa ka hulumtuar KALLXO.com janë parë me dhjetëra qytetarë në objektin ku merren rezultatet dhe mostrat për SARS-CoV-2.

Në IKShPK nga fillimi i pandemisë janë zhvilluar testimet për personat e dyshimtë me COVID-19, përveç Institutit MSh ka licencuar edhe laboratorë privat për testime serologjike dhe PCR.

Tollovi është parë edhe në Klinikën Infektive, familjarët rrezikonin shëndetin e tyre duke qëndruar së bashku me familjarët e tyre. KALLXO.com pati hulumtuar në lidhje me këtë rastë, ku pas hulumtimit dy rojet u suspenduan nga puna.

Për 365 ditë në Kosovë janë infektuar mbi 75 mijë qytetarë, mbi 1 mijë 600 kanë vdekur, ndërsa mbi 63 mijë janë shëruar.

COVID-19 për herë të parë u shfaqë në nëntori 2019 në qytetin Wuhan të Kinës. Tre muaj pas paraqitjes së rastit të parë me coronavirusi OBSh shpalli COVID-19 pandemi globale.

Në botë deri më tani janë infektuar mbi 119 milionë persona, si dhe mbi 2 milionë kanë vdekur.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.