Ministria e Shëndetësisë planifikon 18.6 milionë për adaptimin e Klinikës së Re Emergjente për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tenderin për adaptimin e Klinikës se Re Emergjente për nevoja të COVID-19.

Kjo ministri ka parashikuar të shpenzojë 18,683,463 milionë euro për realizimin e punimeve ndërtimore dhe të infrastrukturës përcjellëse, për vazhdimin e punimeve dhe adaptimin e objektit ekzistues të Klinikës së Re të Emergjencës në QKUK, në spital për menaxhim klinik të rasteve me COVID-19.

Sipas njoftimit për kontratë, punët duhet të përfundojnë brenda 5 muajve nga nënshkrimi i kontratës mes kompanisë fituese dhe autoritetit kontraktues.

Ofertuesit janë të obliguar që përpos kritereve specifike t’i plotësojnë edhe disa kërkesa të tjera.

Në njoftimin për kontratë është përmendur edhe nevoja për funksionalizimin e spitalit është nevojë emergjente, në shërbim të luftimit të pandemisë COVID 19.

Po ashtu është kërkuar që të realizohet sipas kërkesave te “Metodologjia e ndarjes së zonave në prioritet të adaptimit emergjent (Lot1 dhe Lot2)”.

Ministria ka kërkuar që operativa në punishte të jetë emergjente, pa ndërprerje 24/7.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 5 korrik 2020, kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për rritjen e kapaciteteve te trajtimit për COVID-19.

“Duke marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë të datës 16 shtator 2020, sipas të cilit projekti i Klinikës Emergjente në QKUK – lejohet të adaptohet për shfrytëzimin e objektit si hapësirë spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, fillimisht është kryer procedura e ri-projektimit sipas nevojave të reja për COVID-19, dhe në bazë të projektit të ri nga Njësia e Kërkesës në MSh është kërkuar procedimi emergjent i aktivitetit të prokurimit, për kontraktimin e një punëkryesi profesional për realizimin e punëve”, vazhdon njoftimi për kontratë.

Më tej, në njoftimin për kontratë thuhet se duke marrë parasysh gjendjen e emergjencës se krijuar nga COVID-19, rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit publik, rëndësinë për rritjen e kapaciteteve me shtretër shtesë për pacientet me COVID-19, është kërkuar shkurtimi i afatit për ofertim nga 40 dhe 20 ditë.