Në Prishtinë lulëzon biznesi me ilaçet për coronavirus, çmimet deri në 2 mijë euro

Remdesivir është njëri nga ilaçet që përdoret për trajtimin e COVID-19 i cili është duke u shitur me çmime të larta në barnatoret e Prishtinës.

Dy drejtorë të shëndetësisë nga Peja e Gjilani kishin denoncuar në Jeta në Komunë për çmimet e larta të barit në barnatoret e vendit ndërsa Ministria e Shëndetësisë ende nuk është duke i furnizuar spitalet me këtë bar.

KALLXO.com ka vizituar njërën nga barnatoret në kryeqytet për të parë se sa është duke u shitur bari Remdesivir.

Në bisedë me gazetaren që ka pyetur për çmimin e një ambulle me Remdesivir, ai thotë se kushton 180 euro, pesë ampulla 900 euro dhe 10 ampulla 1800 euro.  Ai ofron zbritje prej pesë eurosh në ampullë nëse blehen 10 copa.

Ilaçi tjetër  Favipiravira i cili përdoret për COVID- 19 po ashtu  kushton 75 euro.

Nëse kalon afër Klinikës Infektive në QKUK dhe bisedon me familjarët e pacientëve të cilët gjenden brenda mureve të kësaj klinike do të dëgjosh rrëfime të ndryshme.

Në ballkonin e Infektivës ku po qëndronte një familjar, thotë se kanë blerë 10 ampullë Remdesivirë, një ampullë është blerë 200 euro, sipas kalkulimeve kuptojmë se 2000 euro janë harxhuar vetëm për këtë lloj ilaçi.

“10 ampulla i kam ble. 200 euro një ampullë”, tregon njëri nga familjarët.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë thotë se janë në pritje për furnizim me barin Remdesivir.

KALLXO.com ka kontaktuar, Milaim Abdullahun, furnizuesin e barnatoreve, i cili ka thënë se tenderi për furnizim me Remdesivir ka dështuar për shkak se operatorët të cilët nuk e kanë fituar tenderin janë ankuar dhe për këtë arsye është shtyer tenderimi.

“Ministria e Shëndetësisë para një muaji e ka shpallë tenderin për Remdesivirë, ka pas në treg (nëpër barnatore) nga 180, 170,160 euro, mirëpo kur Ministria (e Shëndetësisë) e shpalli tenderin atëherë u tërhoqën të gjitha depot e barnatoreve sepse e kanë ditë që kur e blen ministria nuk iu shitet më. 16 kompani kanë aplikuar (në tenderin për remdesivirë) është shpallë fituesi mirëpo disa kompani shantazuese janë ankuar dhe kjo është arsyeja e stërzgjatjes”, ka treguar Abdullahu.

Ai gjithashtu tha se këto dy javë është rritur nevoja për Remdesivir.

“Këto dy javë është një vakum i madh sepse është aq krizë e madhe për Remdesivir në Kosovë sa që nuk është normale kjo” , tregoi tutje.

Në anën tjetër, Infektologu Salih Ahmeti e konfirmoi se pacientët e infektuar me coronavirus janë duke e blerë vet ilaçin Remdesivirë.

“Në rastet indikative po (është duke u përdorur Remdesivira) edhe Favipiravira (është duke u përdorur) Favipiravirën e kemi, Remdesivirën ende jo. Kemi premtime nga Ministria që do të furnizohemi, por tash po i blejnë (pacientët) vet”, tha Ahmeti për KALLXO.com.