Fillon mësimi online - VIDEO

Mësimet po i ndjekë më ndryshe se herave të tjera.  Kësaj radhe kjo nxënëse po i përcjell mësimet nga televizori dhe  jo siç është mësuar ta dëgjojë mësuesen e saj në shkollë.

Kjo pasi që sot pas disa ditësh pushimi, ka filluar mësimi online për të gjithë nxënësit e Kosovës.

 

 

Siç ka njoftuar Ministria e Arsimit, mësimi do të  zhvillohet vetëm në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë dhe materialet janë të gatshme për nivelin 1-5, kurse ditëve në vijim pritet të përgatiten për nivelet e tjera.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka filluar sot.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Mësimi fillon në ora 11:15 dhe do të ritransmetohet në RTK4 në ora 16:00.

Orari mësimor për ditën e sotme është si në vijim:

Klasa 1: Gjuhë Amtare – Shkronja C; Matematikë – Gjysma dhe Çereku

Klasa 2: Gjuhë Amtare – Emri; Matematikë – Shumëzimi i numrave

Klasa 3: Matematikë – Kuptimi i nënbashkësisë; Gjuhë Amtare – Zgjedhimi i foljeve në kohën e tashme

Klasa 4: Matematikë – Pjestimi i numrave treshifrorë, me një numër njëshifrorë; Gjuhë Amtare – Përpunim i poezisë “Pranvera”

Klasa 5: Gjuhë Amtare – Lakimi i emrave mashkullorë; Matematikë – Matja e kohës, njësitë matëse

Mbyllja e shkollave erdhi për shkak të gjendjes së coronavirusit dhe u vendos si masë parandaluese.