Ilustrim

 Një Vendim i rrallë në mbrojtjen digjitale, Kompania urdhërohet të largojë CV-në

Një student ka arritur të fitojë betejën me një Kompani private në Kosovë, e cila i kishte publikuar CV-në e tij në një faqe interneti.

Agjencioni për Privatësi ka marrë Vendim gjatë muajit shkurt 2025, që të obligojë Kompaninë që ofron shërbime digjitale të largojë CV-në, e cila ishte publikuar pa miratimin e studentit.

Në Vendimin i cili është bërë publik më 14 shkurt 2025, ndër të tjera, obligon Kompaninë të fshijë të dhënat personale.

Në dokumentin e publikuar tregohet se një studenti i ishte publikuar në internet CV-ja e tij personale.

E.B. kishte kuptuar se CV-ja e tij është duke qarkulluar në internet, pasi e njëjta ishte vendosur nga Kompania I.G.

Për të larguar përmbajtjen, studenti kishte provuar ta kontaktojë disa herë Kompaninë, që dyshonte se e kishte shpërndarë CV-në e tij, duke iu kërkuar që ta hiqnin atë nga interneti.

Kompania në fjalë i ishte përgjigjur duke i thënë se ka larguar vetëm accountin e tij nga platforma dhe se rezymeja nuk figuron më. Mirëpo, sipas Vendimit, të dhënat kishin vazhduar të qëndronin online.

Duke mos e konsideruar këtë si zgjidhje, E.B. i ishte drejtuar AIP-së zyrtarisht, më 27.12.2024 dhe lidhur me këtë kishte drejtuar Ankesë ndaj Kompanisë I.G.

Në këtë Ankesë E.B., AIP-së ia kishte bashkangjitur provën-linkun ku ishin publikuar të dhënat e tij (CV), si dhe Kërkesën e parashtruar ndaj Kompanisë dhe përgjigjen e pranuar nga po e njëjta.

Pas pranimit të Ankesës, Agjencia kishte filluar procedurën e shqyrtimit të Ankesës dhe më 14.01.2025, zyrtari i AIP-së përmes email-it i ishte drejtuar Kompanisë duke e njoftuar lidhur me Ankesën e parashtruar nga studenti dhe kishte kërkuar që ta njoftojë Agjencinë se a janë ndërmarrë masa lidhur me Kërkesën e palës së ankuar.

Tutje, AIP më 17.01.2025, përmes email-it kishte pranuar një njoftim nga Kompania në të cilin thuhet se CV-ja e studentit me inicialet E.B. e të dhënat e tij ishin larguar nga serveri publik dhe të dhënat e tij ishin fshirë nga interneti.

“Në emër të projektit, dëshirojmë t’ju informojmë se CV-ja e studentit E.B. është larguar nga serveri publik dhe të dhënat e tij janë fshirë gjithashtu nga Google.” – thuhet në Vendimin e AIP-së.

Pas kësaj AIP kishte hulumtuar në linkun ku kishin qenë të qasshme të dhënat e studentit, E.B.

Tutje, AIP kishte konstatuar se këto të dhëna janë fshirë dhe nuk janë të qasshme, me ç’rast për këtë ishte njoftuar edhe studenti, E.B.

Ligji për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale ndalon publikimin e informatave personale të qytetarëve të Kosovës.

Sipas këtij Ligji, në situatat kur qytetarët nuk japin leje për publikimin e të dhënave personale, si: numrat e telefonave, nivelin e shkollimit, apo të dhëna të tjera, autoritetet apo faqet në internet janë të obliguara t’i fshijnë të dhënat nga databazat.

Procedura e Ankesës për shkeljet e privatësisë është e thjeshtë dhe qytetarët mund të ankohen në Agjencinë për Privatësi.