Ish-kryeministri Janez Jansha po prin në sondazhet për zgjedhjet e së dielës. Foto: Facebooku i tij

Një skandal spiunazhi mbisundon fushatën zgjedhore në Slloveni

Video të turpshme dhe një firmë misterioze inteligjence izraelite

Sllovenia do të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 22 mars dhe sondazhet tregojnë se kandidati kryesor është opozitari Janez Jansha, populist i së djathtët dhe tre herë ish-kryeministër, ka shkruar “The Economist” të mërkurën (18.03.2026) në një analizë. Javën e kaluar u duk se u përmirësuan mundësitë e Janshës: një faqe interneti u shfaq papritur, mbushur plot me akuza për korrupsion kundër disa personave të lidhur me qeverinë. Videot e publikuara në faqe i shfaqnin teksa mburreshin për lidhjet e tyre politike me bashkëbisedues që me sa duket po e përfaqësonin veten si biznesmenë të huaj.

Kush i prodhoi videot?

Megjithatë, ata që paraqiteshin në pamjet filmike thanë se ato ishin redaktuar ose manipuluar dhe mohuan çdo shkelje të mundshme. Më 16 mars, Mladina, portal lokal lajmesh, raportoi se operativë nga “Black Cube”, firmë izraelite e inteligjencës politike, ishin takuar me Janshën në selinë e partisë së tij në dhjetor. Raporti sugjeron se “Black Cube” mund të jetë pas faqes së internetit. Firma nuk iu përgjigj kërkesës së “The Economistit “ për koment.

Videot dhe pyetja se kush i prodhoi ato kanë përmbysur fushatën. Robert Golob, kryeministri liberal, ka pretenduar se “shërbimet e huaja” po ndërhyjnë në zgjedhje. Jansha mohon përfshirjen me “Black Cube” ose videot, por thotë se ato tregojnë se qeveria është një bandë mashtruesish. Partia Demokratike Sllovene (SDS), të cilën ai e drejton, shkroi në X se “duhet të ngrihet një monument” për firmën izraelite për ndihmën në luftën kundër korrupsionit.

Jansha humbi zgjedhjet e mëparshme më 2022 me fitore të thellë ndaj Golobit, ish-biznesmen karizmatik. Por disa skandale kanë dëmtuar popullaritetin e qeverisë. Ministria e Drejtësisë është akuzuar për favorizim në blerjen e ndërtesave, dhe Golob është hetuar nga agjencia antikorrupsion për ndërhyrje të dyshuar në punët e policisë, një akuzë që ai është zotuar ta luftojë në gjykatë. Ekonomia në rritje të ngadalshme nuk ka ndihmuar: rritja ra nga 2.7% në vitin 2022 në 1.1% vjet. Sondazhet tregojnë se SDS-ja e Janshës kryeson Lëvizjen e Lirisë të Golobit me disa pikë përqindjeje. 

Klubi i populistëve të Europës

Nëse Jansha fiton, klubi i udhëheqësve populistë të Europës do të ketë një anëtar tjetër. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm, ai e çoi Slloveninë në një drejtim gjithnjë e më autokratik. Ai i kritikoi ashpër gazetarët si “institute të prostitucionit” dhe ngacmoi RTV-në, medium i pavarur lajmesh, duke ia shkurtuar fondet shtetërore. “Freedom House”, organizatë mbikëqyrëse, spikati se gjatë kohës së tij në pushtet, Sllovenia shënoi rënien më të ndjeshme demokratike midis 29 vendeve ish-komuniste që monitoron.

Fitorja për Janshën do të kishte më shumë rëndësi nëse Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë fqinje, do të arrinte ta mbante pushtetin në zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Populisti slloven e modeloi stilin e tij qeverisës sipas atij të Orbanit. Të dy burrat sulmojnë elitat globale dhe forcat e kapjes së shtetit. Jansha do t’i bëhej krah Orbanit në Bashkimin Europian, së bashku me Robert Ficon e Sllovakisë, duke e bërë edhe më të vështirë për BE-në të anashkalojë vetot e Hungarisë për ndihmën ndaj Ukrainës ose ta ndëshkojë atë për shkelje të sundimit të ligjit.

“Black Cube” dhe Weinstein

“Black Cube” më parë punoi për Harvey Weinstein, producent i turpëruar i Hollywoodit, për t’i diskredituar gratë që e kishin akuzuar për abuzim seksual. Në vitin 2022, tre izraelitë që punonin për firmën u dënuan me dënime me kusht në Rumani për përpjekje për të frikësuar anëtarët e gjyqësorit.

Publikimi i videove i bën jehonë një fushate të ngjashme para zgjedhjeve të Hungarisë në vitin 2018, kur u bënë publike incizime të turpshme të punonjësve të OJQ-ve. “Black Cube” u akuzua gjithashtu se qëndronte pas këtij mashtrimi; nuk e ka mohuar këtë. “LinkedIn” thotë se kompania përdori profile të rreme për të vënë në kurth një rrjet aktivistësh para zgjedhjeve të Hungarisë më 2022. Tani zgjedhjet e Sllovenisë mund të varen nga fakti nëse votuesit janë më të shqetësuar nga çka thuhet në video, apo nga kush i bëri ato.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com