Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për rastin e grabitjes në Suharekë

Gjykata e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës së Prizrenit.

Në Gjykatën e Prizrenit sot është mbajtur seanca paraprake, gjatë të cilës prokurorja Ervehe Gashi ka kërkuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri dyshohen për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Grabitja në fjalë ka ndodhur më 22 nëntor në argjendarinë “Diakos” në Suharekë.

Dyshohet se vlera e arit të vjedhur është mbi 200 mijë euro.

Një polic është plagosur e një është lënduar gjatë konfrontimit me me grabitësit, të cilët ishin të armatosur me armë të gjata.