Një biznes në Prishtinë bllokon shiritin për të verbër – Inspektorati vepron pas raportimit të KALLXO.com
Personat me aftësi të kufizuar, specifikisht personat e verbër, po e kanë të vështirë qasjen në rrugët e Prishtinës, pasi hapësirat e dedikuara për këtë kategori shpeshherë janë të bllokuara.
Një rast i ngjashëm është identifikuar nga KALLXO.com në lagjen “Qafa”, ku lokali i gastronomisë “Matisse” kishte bllokuar pjesën ku është i vendosur shiriti taktil për personat e verbër.
Në hapësirën e trotuarit ku ndodhet shiriti taktil, i cili ndihmon në orientim personat me probleme në shikim, ky biznes kishte vendosur karrige për klientët, duke e bërë të pamundur shfrytëzimin e tij për qëllimin që është vendosur.
Për këtë çështje kanë shprehur shqetësime drejtues të organizatave për personat me aftësi të kufizuar dhe ata të verbër. Kërkesa e tyre është që të mos krijohen barriera shtesë, pasi kjo i detyron personat e verbër të lëvizin gjithmonë me një asistent.
Drejtori i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, ngriti shqetësimet për gjendjen e krijuar në rrugët e kryeqytetit, ku sipas tij, po krijohen barriera shtesë për këtë kategori.
“Natyrisht që është pengesë shumë e madhe. Edhe pse institucionet janë të vetëdijshme dhe kanë filluar të vendosin staza taktile nëpër rrugë, më habit fakti se shpeshherë ato janë të bllokuara nga individë apo biznese të ndryshme. Staza taktile e pavarëson personin e verbër në mënyrë që ai të lëvizë lirshëm, dhe kërkoj që të ketë mirëkuptim dhe që këto hapësira të mos bllokohen”, deklaroi Tishuki.
Ndërsa drejtori i Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuar, Bujar Kadriu, tha se infrastruktura në kryeqytet për personat me aftësi të kufizuara – përfshirë edhe personat e verbër – është ende e papërshtatshme, ndonëse ka përpjekje pozitive për ta ndryshuar këtë situatë.
“Prishtina është me të vërtetë e vështirë sa i përket lëvizjes së lirë të personave me aftësi të kufizuar. Vetë fakti që ende lëvizim me ndihmën e asistentit, qoftë në institucione apo komunë, ku kemi takime të natyrave të ndryshme, tregon se Prishtina është larg realitetit sa i përket qasjes për persona me aftësi të kufizuara – në veçanti për personat e verbër apo grupet e tjera”, deklaroi Kadriu.
Ai gjithashtu apelon që bizneset të respektojnë hapësirat e dedikuara për këto kategori, pasi sipas tij, edhe personat e verbër e ata me aftësi të kufizuara janë klientë të tyre. Prandaj, duhet bërë përpjekje që të mos vështirësohet lëvizja e tyre.
Ekipi i KALLXO.com tentoi të kontaktojë me përgjegjësit e lokalit “Matisse”, mirëpo ata nuk ishin të pranishëm në lokal deri sa ekipi po qendronte në terren.
KALLXO.com ka kërkuar përgjegjësi edhe nga institucionet kompetente lidhur me këtë situatë dhe reagimi nuk vonoi.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, në një prononcim për KALLXO.com deklaroi se nuk do të lejohet që hapësirat e dedikuara për qytetarë – sidomos për personat me aftësi të kufizuar – të bllokohen nga bizneset, dhe për këtë premtoi se do të ndërmerren veprime të menjëhershme.
“Mirëpresim çdo informacion që ndihmon në kryerjen e detyrave tona si Inspektorat, pavarësisht nëse vjen nga qytetarët apo mediat. Inspektorati, pas marrjes së informacioneve, do të dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe do t’i largojë tavolinat nga kjo pjesë. Sepse Drejtoria e Shërbimeve Publike asnjëherë nuk jep leje apo pëlqim për shfrytëzimin e një hapësire publike që është trotuar, e aq më pak nëse ajo është e dedikuar për personat e verbër”, theksoi Brestovci.
Pas raportimit të KALLXO.com, nga Komuna e Prishtinës jemi njoftuar se Inspektorati i Komunës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka liruar këto hapësira.
Ndërsa nga biznesi në fjalë nuk është arritur të merret një përgjigje zyrtare nëse kanë pasur leje për shfrytëzimin e këtyre hapësirave, pasi nuk kanë qenë të qasshëm.