Nis takimi i presidentes Vjosa Osmani me emisarin amerikan Gabriel Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar. 

Pas takimit është paralajmëruar që do të ketë deklarata për medie. 

Temë e bisedimeve gjatë takimeve të Escobarit në Kosovë, siç është paralajmëruar, do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë, si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se Escobar do të takohet me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por deri më tani nga Zyra e Kryeministrit nuk është bërë e ditur nëse Escobar do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Në një konferencë online me gazetarë më 13.03.2024, Escobar ka theksuar edhe se kanë probleme me komunikimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Problem ky që, sipas Escobarit, e kanë edhe partnerë të tjerë si Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Vendimin e BQK-së për këtë Rregullore Escobar e ka quajtur “katastrofal”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa dhe marrin pensione e ndihma të tjera (nga Serbia) në dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere” – ka thënë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-në nuk është vënë në rrezik.

“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja” – ka thënë Kurti.

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) më 27.02.2024  kishte zhvilluar takim edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.

BQK lajmëroi që në këtë takim trepalësh, brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura prej saj si dhe argumentoi mundësitë dhe lehtësitë e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese.

Pas takimit në Bruksel të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia lidhur me çështjen e dinarit, Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që diskutimet mes palëve të vazhdojnë me urgjencë.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- thanë nga Departmenti i Shtetit për KALLXO.com.