Departamenti i Shtetit.
Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon që diskutimet për dinarin të vazhdojnë me urgjencë
Pas takimit në Bruksel të delegacioneve nga Kosova dhe Serbia lidhur me çështjen e dinarit, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka kërkuar që diskutimet mes palëve të vazhdojnë me urgjencë.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- shkruan në përgjigjet e Departmentit të Shtetit për Kallxo.com.
DASH ka mirëpritur bisedimet u zhvilluan më 27.02.2024 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë dhe rrjedhimisht e kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Se a vazhdon edhe më tej të jetë i rrezikuar partneriteti Kosovë- SHBA, nga Departamenti Amerikan i Shtetit thonë se “deklaratat tona publike kanë qenë mjaft të qarta për drejtimin e marrëdhënieve tona diplomatike dhe politike”.
Departmenti Amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjet si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të angazhohen seriozisht dhe urgjentisht në përpjekjet për të arritur marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) më 27.02.2024 kishte zhvilluar takim edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.
BQK lajmëroi që në këtë takim trepalësh, brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura prej saj si dhe argumentoi mundësitë dhe lehtësitë e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese.
Nga BQK-ja thanë se “autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithëse janë ngritur disa brenga”.
BQK në takim ka elaboruar zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të lehtësuar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.
Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë.
Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.
“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja.
Kështu e konsideroj dhe kështu bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Ne jemi një Republikë demokratike dhe Qeveria nuk imponohet mbi institucionet e pavarura shtetërore si Banka Qendrore”, tha Kurti më 14.02.2024 gjatë një vizite në
Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar ftesën për të shkuar në Bruksel, pasi nuk ishte që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.