Escobar e quan 'katastrofal' zbatimin e vendimit për dinarin

“Vendim katastrofal”, e ka quajtur atë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për rregulloren me para të gatshme, zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar në një konferencë online me gazetarë tha se është duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë e qytetarëve si pasojë e kësaj rregulloreje.

“Për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, jemi duke dëgjuar shumë raportime për vështirësitë që qytetarët e Kosovës që varen nga pagesat sociale nga Serbia dhe ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh seriozisht shqetësimet  e komunitetit ndërkombëtar për trajtimin e pakicave në Kosovë”- ka deklaruar Escobar.

Ai ka numëruar pesë arsyet se përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara nga ky vendim i BQK-së.

“E para është shpejtësia në të cilën është implementuar, ne nuk po e diskutojmë legjitimitetin e vendimit,  po e diskutojmë vendimin e zbatimit. Francës i është dashur një vit që të implementojë euron dhe në veri të Kosovës ata donin që ta zbatojnë në më pak se tri javë. E dyta është se qeveria nuk ka siguruar asnjë alternativë për që ata të marrin pagesat e tyre të cilët varën në to”- ka thënë Escobar.

“E treta është se nuk kishte kontakt me komunitetet e prekura dhe shumë njerëz që u prekën nga ky vendim mbetën duke hamendësuar se çfarë do të ishte hapi tjetër. E katërta, dy javë para njoftimit për këtë vendim, Kosova me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor u dakorduan në Shkup gjatë një samiti, që do të kishte një mekanizëm të pagesave në fund të këtij viti, me fjalë të tjera, nëse Kosova do të kishte pritur, mekanizmi i pagesave do ishte zgjidhur. E fundit, ne kemi qenë duke luftuar që Kosova të lejojë bashkësinë ndërkombëtare t’i ndihmojë me asistencë teknike për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje”- theksoi ai.

Escobar u shpreh se Kosova duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim siç e quajti ai “katastrofal” dhe “jokompetent”.

“Pra neve na duhet që Kosova të punojë me komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë, do thosha, vendim katastrofal madje edhe vendim jokompetent i zbatimit të një vendimi që ka shkaktuar kaos në ekonominë e Kosovës”- ka vlerësuar Escobar.

Zyrtari amerikan do të vizitojë Kosovën brenda kësaj jave, për të folur për çështjen e dinarit dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Escobar thuhet se pritet të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetet serbe të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Për dinarin e dialogun, Escobar viziton Kosovën këtë javë