Njëri nga të dyshuarit serb, të ndaluar në Jarinjë

Ngrihet aktakuza e parë për tensionet në veri të Kosovës

Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, shtetas të Serbis, janë arrestuar në fund të majit në pikën kufitare në Jarinjë. Ata nga Prokuroria Speciale po hetoheshin për vepra penale të terrorizmit. Ata janë në paraburgim që nga 1 qershori i këtij viti.

Ndaj tyre sot Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për veprën penale të pjesëmarrjes në turma që kryejnë vepra penale të huliganizmit. Ivan Sekuliqi po ngarkohet edhe për veprën penale – posedim i paautorizuar i armëve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy të pandehurve me inicialet S.J dhe I.S të nacionalitetit serb”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë të njëjtit kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit.

“Në atë mënyrë që më 30 maj të këtij viti në pikën kufitare në Jarinjë, fillimisht e kishin kaluar kufirin dhe në bashkëkryerje kanë ndërmarrë veprimet përgatitore të nevojshme, sendet të destinuara për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dëmtimit të objekteve publike dhe private si dhe shkaktimin e dëmtimeve trupore të personave zyrtar”.

E krejt kjo duke qenë në kontakt me pjesëmarrës të tjerë të turmës në Leposaviq, e duke u pajtuar që t’i bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve më 29 maj 2023.

Në njoftimin për ngritje të aktakuzës thuhet se nga këto veprime protestuesit kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri.

E nga këto veprime kishin mbetur të lënduar 30 pjesëtarë të forcave të KFOR-it. Tre prej të cilëve ishin lënduar nga predhat e armëve të zjarrit.

Në ato protesta ishin shkaktuar dëme materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës si dhe vetura të gazetarëve

Por për çfarë vepra dyshoheshin fillimisht të pandehurit?

Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq ishin arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë më 31 maj të këtij viti, pasi nga Prokuroria Speciale dyshoheshin për vepra penale të terrorizmit, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

KALLXO.com kishte siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale ndaj dy të arrestuarve.

Dosja e Prokurorisë zbardhte se i dyshuari Sinisha Jevtiq është me profesion polic, ndërsa i arrestuari tjetër Ivan Sekuliq, hidroinstalues.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ata dyshoheshin për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të dyshuarit Jevtiq dhe Sekuliq më 31.05.2023, rreth orës 23:25, në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinjë, kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Dosja zbardh se dy të dyshuarit në veturën me të cilën po udhëtonin po bartnin mjete të rrezikshme, si armë të ftohta dhe pajisje për shpërthime, maska kamuflazhi, kapelë e “Beretave serbe”, thikë ushtarake, thika të tjera, disa kartela me simbole nacionaliste serbe, sprej, një piper sprej, shufër metalike e policisë, kartelë e veteranit të luftës e lëshuar nga autoritetet serbe, çekan metalik dhe disa substanca të tjera në formë të ngurtë, përmbajtja e të cilave nuk dihet aktualisht, sende dhe pajisje këto të planifikuara për t’i përdorin në sulmet ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

“Pretendimi i të pandehurve për hyrje në Kosovë ishte “pjesëmarrja në lutje në një kishë në Komunën e Leposaviqit”, version i cili është në kundërshtim me provat e siguruara deri më tani e që provojnë dyshimet e përshkruara si në kërkesë” – thuhej në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

“I pandehuri Ivan Sekuliq, kur është pyetur se si e ka ditur që në Kosovë do të mbahet një lutje e tillë në një kishë në Leposaviq, është përgjigjur se ‘para dy javësh kam qenë ne Lubjanë/Slloveni në një lutje në një kishë dhe aty më është thënë se e njëjta lutje do të bëhet edhe në Kosovë’. Pasi që është folur për Kosovë, ai në Kosovë nuk kishte qenë asnjëherë më parë por kishte dashur që të merrte pjesë në këtë lutje, e cila mbahet në një kishë në Kosovë, por pa e ditur saktë vendin, pasi që gjatë meshës kinse nuk ju ishte thënë për vendin se ku do të mbahet mesha”.

“Të hënën kam komunikuar me të dyshuarin Sinisha Jevtiq nga Krushevci, i cili më tha se njerëzit janë duke u bërë gati me ardhë” – sqarohet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër, Sinisha Jevtiq, gjatë intervistimit ka deklaruar se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë ka qenë kryerja e disa lutjeve fetare në një kishë në komunën e Leposaviqit.

“Nuk ka të bëjë asgjë me protestat që janë duke u zhvilluar në veri të Mitrovicës. Sa i përket sendeve të gjetura në veturën dhe në çantën e tij, si maska dhe gjësende të tjera, ai ka deklaruar se ato gjëra kanë mbetur pasi që ka qenë me to në një protestë në Serbi” – thuhet të ketë deklaruar i pandehuri Jevtiq.

Dosja e Prokurorisë zbardh edhe faktin se i dyshuari Sinisha Jevtiq kishte tentuar të hynte në territorin e Kosovës edhe më parë, por që të njëjtit nuk i ishte lejuar futja në territorin e Kosovës.

Detaje më të hollësishme lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit mund t’i gjeni duke klikuar këtu LINK.