Foto: Kallxo.com

Sveçla: Arsenali i armatimit i kapur sot - mbetje nga grupi terrorist i Radoiçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se kanë gjetur arsenal armësh në veri të vendit.

Sipas tij, ky arsenal u përket grupeve terroriste të udhëhequra nga Millan Radoiçiq dhe se me të janë planifikuar sulme kundër Policisë së Kosovës.

“Pas bastisjes së lokacionit të dyshuar është gjetur armatim i shumtë në numër, i llojeve të ndryshme, me të cilat grupet terroriste kanë planifikuar sulmin ndaj institucioneve të Kosovës, pikë së pari ndaj Policisë” – tha ministri në një konferencë të jashtëzakonshme më 14.05.2024.

Ky armatim, sipas tij, është dëshmi e përfshirjes direkte të shtetit të Serbisë në tendencën për të destabilizuar Kosovën.

“Nga gjetjet e deritanishme kuptohet se përveç pjesëtarëve të deritanishëm ka edhe të dyshuar të tjerë” –  shtoi ministri Sveçla, i cili tha se nuk do të ndalen duke ofruar siguri për qytetarët e vendit.

Kjo është depoja e pestë sipas Sveçlës që e kanë zbuluar brenda vitit.

“Ata të cilët cenojnë rendin kushtetues, të gjithë do të vijnë para drejtësisë për veprat që i kanë shkaktuar apo kanë tentuar t’i shkakatojnë” – tha më tej ai.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar detaje rreth arsenalit të armatimit të kapur sot në veri të vendit.

Më 24.09.2023 në fshatin Banjskë në Zveçan ndodhi një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, në të cilin nga kundërpërgjigjja e Policisë ishin vrarë tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit.