ILUSTRIM - Armët e konfiskuara në Zvecan, Foto: KALLXO.com / 24.06.2023

Zbulohen armë dhe municione në veri, Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme për media

Një konferencë e jashtëzakonshme për media është thirrur të mbahet sonte, më 14.05.2024, në ora 19:30, në Drejtorinë rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se Policia në afërsi të fshatit Rudarë, afër Leposaviqit, ka kryer një operacion kontrolli.

Aty janë duke u kontrolluar dy shtëpi në të cilat deri më tani janë gjetur 10 armë, mes tyre edhe “Kallashnikovë”.

Bashkë me armët e zjarrit janë zbuluar disa eksplozivë, si dhe “shok-bomba”.

Zona është shumë afër zonës ku vendoseshin barrikadat.

“Sot, më 14.05.2024, në ora 19:30, në objektin e Drejtorisë Rajonale Policore-Mitrovicë Veri, do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media në të cilën do të paraqiten detaje rreth një operacioni policor të gjetjes dhe konfiskimit të një sasie të armatimit” – thuhet në ftesën për media.

Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.