Ura në liqenin e Badovcit, Foto: KALLXO.com
Nisin procedurat për ndërtim të urës së re te Liqeni i Badovcit
Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) Hysen Durmishi ka bërë të ditur se pas mbylljes për qarkullim të urës tek Liqeni i Badovcit dhe analizave gjeologjike, sot kanë nisur procedurat e prokurimit për ndërtim të urës së re.
Durmishi ka bërë të ditur se kostoja për këtë urë 35 metra e gjatë do jetë mbi 500 mijë euro, derisa afati për përfundim të punëve do jetë 125 ditë.
“Pas konstatimit të ekspertëve që ura në Badovc duhet të mbyllet për qarkullim, ne menjëherë intervenuam. E mbyllëm urën duke e hapur Bypass-in, e asfaltuam rrugën si zgjidhje të përkohshme. Bëmë analizat gjeologjike e gjeomekanike dhe filluam projektimin e urës. Sot kemi filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës së re. Kostoja e saj planifikohet të jetë 530 mijë euro. Ura është e gjatë 38 metra me tri hapësira drite si dhe me gjerësi të rrugës mbi të 7 metra e gjysmë dhe trotuaret e elementet tjera përcjellëse. Afati për përfundimin e punimeve është 125 ditë”- ka bërë të ditur Durmishi.
MMPHI në muajin maj ka mbyllur urën tek Liqeni i Badovcit pas vlerësimit se paraqet rrezik, pak ditë më vonë ministria asfaltoi rrugën alternative mbi 1 km e gjatë e cila po shfrytëzohet deri në rregullim të urës.
Mbyllja e urës te Badovci për punime, Ministria asfalton rrugën alternative