Foto: Dogana e Kosovës, Facebook

Dogana parandalon kontrabandimin e dhjetëra medikamenteve, ishin fshehur në gomën rezervë

Dogana e Kosovës ka parandaluar një kontrabandim të medikamenteve në pikën doganore të Hanit të Elezit.

Dhjetëra pako me ilaçe u gjetën të fshehura në gomën e rezervës së automjetit të ndaluar, ndonëse shoferi dhe pasagjerja iu përgjigjën oficerëve doganorë se nuk posedojnë mall për deklarim.

Llojet e medikamenteve, siç thotë Dogana përfshijnë: 45 pako të Ozempic 1 mg, 20 pako të Tresiba 5×3 ml, 10 pako Ryzodeg 5×3 ml, 20 pako Novomiks 5×3 ml e të tjera.

“Bazuar në këto zbulime, u konstatua se personi fizik ka kryer një kundërvajtje doganore, e cila është sanksionuar sipas nenit 276 të Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë” – njofton Dogana.

Ky organ ka ftuar qytetarët dhe bizneset që t’i raportojnë dyshimet dhe të ndihmojnë në luftën kundër kontrabandës e krimit të organizuar.