Asfaltim

Mbyllja e urës te Badovci për punime, Ministria asfalton rrugën alternative

Ministria e Mjesidit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) gjatë ditës ka asfaltuar rrugën alternative tek ura e Liqenit të Badovcit, e cila është mbyllur për punime.

Ministri Liburn Aliu, i cili përcolli nga afër punimet në rrugën alternative u shpreh se brenda pak javësh nis hartimi i projektit për ndërtimin e urës së re në Badovc.

“Brenda pak javëve do të hapim procedurat për hartimin e projektit kryesor të ndërtimit të urës së re në Badovc. Punimet në Bypass po ecin me ritme të shpejta, ku po punohet intensivisht në asfaltim, rrjedhimisht përmes kontratës së mirëmbajtjes investive ky Bypass do të jetë i asfaltuar dhe gati për lëvizje të automjeteve”- është shprehur Aliu.

Sipas Aliut, vendimi për mbylljen e urës erdhi pas vlerësimit se paraqet rrezik në aspektin e sigurisë.

“Pas formimit të Komisionit Profesional nga MMPHI, është bërë vlerësimi se në aksin rrugor Prishtinë – Gjilan, tek ura e Badovcit, e cila njëherit përballon një fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve, e që për shkak të rrezikshmërisë në aspektin e sigurisë, kemi marrë vendimin që këtë urë ta mbyllim përkohësisht, deri në hartimin e projektit kryesor të ndërtimit të urës së re”- shtoi tutje Aliu.

KALLXO.com ditë më parë raportoi për ankesat e banorëve të rajonit të Gjilanit që shfrytëzojnë këtë rrugë per lidhje me kryeqytetin. Kërkesë e tyre ishte që së paku të asfaltohej rruga alternative në afërsi të urës.