Prishtina Parking

Nga e hëna hynë në fuqi rregullorja e re e 'Prishtina Parking' - (FOTO)

Ndërmarrja “Prishtina Parking” ka treguar se si duhet të veprojnë banorët rezidentë të Prishtinës për t’u liruar nga pagesa për parkimin e veturës së parë.

Ky lirim nga pagesa është mundësuar përmes Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në kryeqytet, e cila hyn në fuqi nga 22 janari.

1 mijë e 862 qytetarëve që tashmë janë në parapagim, “Prishtina Parking” do t’ua kthejë mjetet.

Kjo ndërmarrje udhëzon banorët rezidentë që të presin që të kontaktohen nga “Prishtina Parking” brenda 30 ditëve të ardhshme.

“Në kontaktin që do e realizojmë do të informojmë banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota. Nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro” – njofton ndërmarrja.

Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë.

“Deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat)” – thuhet më tej në njoftim.

Kryeshefi i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli ka publikuar disa grafika që tregojnë lokacionet, numrin e vendparkingjeve, instruksionet dhe kufizimet sipas rregullores së re në Zonën 1.

Më 21 dhjetor 2023, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar Rregulloren për parkingjet në kryeqytet, ku parkimi për makinën e parë për rezidentët do të jetë pa tarifë mujore, por me një tarifë vjetore 10 euro, ndërsa për makinën e dytë është caktuar tarifë mujore 10 euro, e vjetore 100 euro.

Disa nga nenet e kësaj Rregulloreje përfshijnë:

-Vetura e parë pa pagesë për banorët rezidentë në adresën/rrugën e tyre ose pas aplikimit të kodifikimit në të gjithë qytetin, në segmentin e tyre (10 euro kosto e regjistrimit e cila aplikohet vetëm një herë);

-Kosto më e lirë për veturën e dytë (10 euro për muaj);

-Zgjatja e orarit në Zonën 1 dhe 2 deri në ora 23:00;

-Kufizim i parkimit në lagjet rezidenciale për vizitorë në orët e mbrëmjes;

-Largim i të gjitha laurave në lagjet rezidenciale;

-Dita e shtunë dhe e diel pa pagesë në parkingjet e hapura.