Prishtina Parking
Lirimi nga pagesa për makinën e parë për rezidentët, "Prishtina Parking" do të rimbursojë 1,862 qytetarë
Nga data 22 janar pritet të hyjë në fuqi Rregullorja për organizmin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në kryeqytet, ku si rezultat për banorët rezidentë, parkimi për makinën e parë do jetë pa pagesë.
Kjo ka bërë që ndërmarrja “Prishtina Parking” të vendosë t’ua kthejë mjetet 1,862 qytetarëve që tashmë janë në parapagim.
“Prishtina Parking do të rimbursoj 1,862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44,130 euro. Të gjithë qytetarët që kanë parapagim përtej datës 22 Janar 2024 do të rimbursohen, duke zbritur shumën prej 10 euro për ta cilësuar si pagesë të tarifës administrative”- thuhet në një njoftim të kryetarit Përparim Rama.
Më 21 dhjetor 2023, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar Rregulloren për parkingjet në kryeqytet, ku parkimi për makinën e parë për rezidentët do të jetë pa tarifë mujore, por me një tarifë vjetore 10 euro, ndërsa për makinën e dytë është caktuar tarifë mujore 10 euro, e vjetore 100 euro.
Disa nga nenet e kësaj Rregulloreje përfshijnë:
-Vetura e parë pa pagesë për banorët rezidentë në adresën/rrugën e tyre ose pas aplikimit të kodifikimit në të gjithë qytetin, në segmentin e tyre (10 euro kosto e regjistrimit e cila aplikohet vetëm një herë);
-Kosto më e lirë për veturën e dytë (10 euro për muaj);
-Zgjatja e orarit në Zonën 1 dhe 2 deri në ora 23:00;
-Kufizim i parkimit në lagjet rezidenciale për vizitorë në orët e mbrëmjes;
-Largim i të gjitha laurave në lagjet rezidenciale;
-Dita e shtunë dhe e diel pa pagesë në parkingjet e hapura.