Ilustrim

Nevoja për të shtuar masat e sigurisë përreth bankave, takim mes policisë në Ferizaj dhe zyrtarëve të bankave

Dhjetëra incidente kriminale, grabitje të armatosura, vjedhje të rënda të cilat kanë ndodhur në banka të ndryshme në Kosovë, kanë paraqitur nevojën që të shtohen aktivitetet e sigurisë dhe masat e policisë rreth bankave.

Kështu të paktën është theksuar në një diskutim mes Policisë Rajonale të Ferizajt me përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit.

Sipas njoftimit të policisë, në këto takime është diskutuar situata e sigurisë, e cila është vlerësuar e qetë në rajonin e Ferizajt, ndërkaq është paraqitur nevoja që të shtohen aktivitetet dhe masat e policisë rreth degëve të bankave në komunat e rajonit në parandalim të incidenteve kriminale të vjedhjeve, vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve.

“Menaxhmeti i stacioneve policore i ka siguruar përfaqësuesit e degëve të bankave komerciale se policia ka në zbatim planin operativ me masa të shtuara të policisë në terren dhe aktivitetitet e policisë do të përqendrohen rreth bankave”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se do të angazhohen të gjitha njësitet, duke i përfshirë policët e rendit , policët e sektorit, hetuesit e stacioneve dhe hetuesit rajonal.

“Gjithashtu do të bashkërendohen aktivitetet për mbështetje edhe me njësi tjera, në rast nevoje Në këto takime janë përcaktuar prioritetet e policisë rajonale për ditët në vijim dhe se policia do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kanë tendenca të cenojnë sigurinë dhe prishin rendin dhe qetësinë publike”- thuhet tutje në njoftimin e policisë.