Ilustrim

Statistikat e policisë për të arrestuarit, aksidentet e veprat penale në 24 orët e fundit

Në raportin e fundit ditor të Policisë së Kosovës, ku tregohen veprat penale që u kryen nga qytetarët e incidente të tjera të ndryshme në 24 orët e fundit u raportua për dhjetëra raste të ndryshme.

Sulm, dhunë në familje, kanosje, aksident me fatalitet, me lëndime e me dëme janë vetëm disa nga rastet që u raportuan.

Një person mbeti i vdekur si pasoj e një aksidenti të ndodhur në autostradën Ibrahim Rugova në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.

Një burrë dyshohet se derisa ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia kishte shkaktuar vetaksident, ku lëndime vdekjeprurëse mori pasagjerja, e të lënduar mbetën shoferi e tre fëmijë që ishin në veturë.

Në anën tjetër, për vetëm 24 orë, në aksidentet që ndodhën në tërë vendin, 23 të tilla ishin me persona të lënduar.

Përpos aksidenteve me lëndime, 27 të tjera të tilla ishin vetëm me dëme materiale.

Në raportin policor, është njoftuar se zyrtarët policor shqiptuan gjithsej 1 mijë e 644 tiketa trafiku.

Për vepra të ndryshme penale, të arrestuar mbetën 9 persona.

Pesë prej tyre u arrestua për dhunë në familje, e një tjetër për kanosje ndaj bashkëshortes së tij. Këta të fundit mbetën në paraburgim me vendim të prokurorëve kujdestar.

Në rastet e shumta që ndodhën dje, pati edhe përdorim të armëve e armëmbajtje pa leje.

Në rrugën Mehmet Aqif Aksoy në Mitrovicë rreth 12:42 në pranga të policisë ra një i dyshuar, i cili pas një mosmarrëveshje me viktimën, vëllain e tij kishte shkrepur armën e zjarrit.

Viktimës i janë shkaktuar lëndime trupore, e ai ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar për shërim shtëpiak.

Ndërsa, arma pistoletë e kalibrit 6 mm që dyshohet se është përdorur në këtë rast është sekuestruar nga policia, e me aktvendim te prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndër të tjera, dje gjatë ditës në Shirokë të Suharekë në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri edhe një fabrikë e mobileve.

Njësitet policore, zjarrfikësit, me ndihmën edhe të punëtorëve fabrikës kishin arritur që ta lokalizojnë dhe fikin zjarrin.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe eksperti i zjarreve, e për me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.