Policia në Ferizaj ua hoqi patentë-shoferët 20 personave dhe shqiptoi 1,285 gjoba për 1 javë

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka shqiptuar 1 mijë e 285 gjoba kundërvajtëse dhe u ka hequr 20 shoferëve patentën.

Sipas Policisë së Kosovës këto aktivitete janë marrë me qëllim të ndalimit të aksidenteve.

‘’Në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që shkoi, nga data 15-21/05/2023 ka shqiptuar 1285 gjoba kundërvajtëse, ndërsa ka hequr edhe 20 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion’’ – thuhet në komunikatën e Policisë.

Sa i përket numrit të aksidenteve, janë raportuar 37 aksidente, prej tyre 12 aksidente me lëndime, në të cilat janë regjistruar 23 persona të lënduar, dhe 25 aksidente me dëme materiale.

Duke bërë thirrje që shoferët të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor, Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë të shtojë sa më shumë aktivitete në mënyrë që të parandalohen këto aksidente.

Ata ftojnë qytetarët për bashkëpunim, që t’i raportojnë të gjitha kundërvajtjet që ndodhin në komunikacion duke njoftuar menjëherë policinë në stacionin më të afërt, apo në aplikacionin “Lajmëro Policinë”, dhe në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.