Ilustrim

Trajtimi i ri premtues më i lehtë se kimioterapia

Disa fëmijë me kancer po marrin një lloj të ri trajtimi me ilaçe shumë më pak toksike se kimioterapia, ku qelizat e shëndosha mbesin të paprekura dhe luftohen vetëm ato kanceroze.

Arturi, 11 vjeç, është një nga të parët që e provoi këtë trajtim, në Spitalin Great Ormond Street të Londrës, për kancerin në gjak.

Familja e tij e quan terapinë “rreze drite”, pasi funksionoi pa bërë që Arturi të ndihej shumë më i sëmurë. Dhe për shkak se mund të jepej në lëvizje/to go, dhe jo vetëm në spital, ai kaloi më shumë kohë në shtëpi me familjen.

Arturi e mbante ilaçin me vete në një çantë shpine – “Çantën Blina”.

Blina tashmë është licencuar për të trajtuar të rriturit me kancer, ekspertët shpresojnë se mund të ndihmojë në mënyrë të sigurt edhe fëmijët.

Rreth 20 qendra në mbarë Mbretërinë e Bashkuar po e përdorin për fëmijët me leukemi limfoblastike akute të qelizave B (B-ALL).

Ilaçi është imunoterapi që ndjekë qelizat e kancerit në atë mënyrë që sistemi imunitar i trupit t’i njohë dhe shkatërrojë ato.

Kjo gjueti e qelizave të kancerit është pikërisht në shënjestër – qelizat e shëndetshme mbesin të paprekura, ndryshe nga trajtimi me kimioterapi.

Blina vjen në një qese me lëng të administruar përmes një tubi të hollë plastik që vendoset në një venë në krahun e pacientit për shumë muaj. Derisa, ka pompë që funksionon me bateri dhe  kontrollon se sa shpejt ilaçi rrjedh në qarkullimin e gjakut – një qese mund të zgjasë disa ditë.

E gjithë kutia mund të mbahet në një çantë shpine më të vogël se një libër shkollor A4, duke bërë të mundur edhe lëvizjen me të.

Për Arturin, kjo do të thoshte se mund të bënte gjëra të tjera – të lunate në park edhe derisa merr trajtimin.

Ashtu si pacientët e tjerë në Blina, Arturit iu dhanë ilaçe për të zvogëluar mundësinë e reaksioneve serioze ose efekteve anësore përpara se të fillonte infuzionin.

Në fillim, kishte ethe dhe duhej të qëndronte në spital për kontrolle. Por më vonë mundi të kthehej në shtëpi.

Çanta e shpinës qëndron me Arturin vazhdimisht, përfshirë edhe në shtrat, derisa pompa bën po ashtu pak zhurmë.

“Kimioterpaia kishte qenë trajtim i ashpër për Arturin dhe kalimi në Blina ishte lehtësim”- tha nëna e tij, Sandrine.

“Po e shëronim duke e bërë të ndihej më keq – është një gjë shumë e vështirë për t’u pranuar”- tha ajo.

Arturit iu desh të kthehej në spital çdo katër ditë në mënyrë që mjekët të mund të mbushnin kompletin e Blinës, por ishte në gjendje të menaxhonte trajtimin në shtëpi pjesën tjetër të kohës.

Në fund të prillit 2023, Arturi kreu operacionin përfundimtar për të hequr tubin nga krahu.

Mjekët thonë se Blina mund të zëvendësojë pjesë të mëdha të kimioterapisë – ndoshta deri në 80% të saj.

Hematologu pediatrik, Ajay Vora tha: “Kimioterapitë janë helme që vrasin qelizat leukemike, por gjithashtu vrasin dhe dëmtojnë qelizat normale – dhe kjo është ajo që shkakton efektet anësore”.

“Blinatumomab është një trajtim më i butë “.

Falë gjithë trajtimit, kanceri i Arturit tashmë është zhdukur. BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri