ARBK e Komuna e Leposaviqit nënshkruajnë marrëveshje. Foto: MINT/Facebook

ARBK e Komuna e Leposaviqit nënshkruajnë marrëveshje

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) ka nënshkruar një marrëveshje me Komunën e Leposaviqit.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kjo marrëveshje mundëson që tash e tutje bizneset e reja të regjistrohen si dhe të marrin shërbime të tjera në zyrën e ARBK-së në Leposaviq.

Sipas njoftimit, në Leposaviq do të vendoset së shpejti edhe Inspektorati Qendror i Tregut, i cili do të kontribuojë në shtrirjen e mbikëqyrjes së tregut në veri të vendit.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë hap zyrat e ARBK-së IQT-së në Leposaviq, për ofrim të shërbimeve ndaj biznesit dhe shtrirje të mbikëqyrjes së tregut në veri të vendit” – njoftoi Ministria.

Në njoftim thuhet se ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, sot zhvilloi një vizitë në Komunën e Leposaviqit, ku u prit nga kryetari i kësaj Komune, Lulzim Hetemi.

“Takimi u zhvillua në atmosferë shumë miqësore, gjatë të cilit kryetari Hetemi e njoftoi ministren Hajdari për ecurinë e punëve dhe progresin e arritur në komunë” – u theksua tutje.

Në takim ishte pjesëmarrëse edhe drejtoresha e ARBK-së, Lebibe Haliti, e zyrtarë të tjerë.