Nënshkrimi i marrëveshjeve për ngrohtoren diellore në Prishtinë, Foto: MFPT

Nënshkruhen tri marrëveshje mbi 80 milionë euro për ndërtimin e ngrohtores diellore në kryeqytet

Sot është bërë nënshkrimi i tri marrëveshjeve në vlerë mbi 80 milionë euro për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë, mes ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe kryeshefit të Termokosit, Osmani.

Ndërtimi i ngrohtores diellore e cila do t’i shërbejë qytetarëve të Prishtinës është bërë e mundur përmes marrëveshjes me BERZH me vlerë 23.2 milionë euro, nga KfW 31.6 milionë euro, nga BE grant 21.5 milionë euro dhe kontributi nga Qeveria 4.4 milionë euro. Ky projekt parasheh ndërtimin e e nje impianti te ngrohjes solare në Prishtinë ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike te Termokosit deri në 50 MW.

“Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas perfundimit të projektit” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministri Murati tha se ngrohtorja e cila do të ndërtohet është investimi më i madh në rajon sa i përket prodhimit të energjisë termike nga energjia diellore.

“Ky projekt mundëson që më shumë qytetarë të kenë ngrohje në shtëpitë e tyre me çmim më të volitshëm dhe në të njëjtën kohë ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit” – theksoi ai.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde; drejtori në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergiy Maslichenko; shefi për Bashkëpunim në Zyren e BE – së në Kosovë, Johannes Madsen dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ambasadori Rohde tha se ngrohtorja diellore e qytetit ofron kapacitet të shtuar të ngrohjes dhe se ndërtimi i ngrohtores bëhet pikërisht në një kohë vendimtare për tranzicionin e gjelbër energjetik në Kosovë.

Përfaqësuesi i BERZH-it, Maslichenko deklaroi se ky projekt do të lidhë më shumë ndërtesa me ngrohtoren e qytetit dhe se është shembulli më i mirë i bashkëpunimit në mes akterëve të ndryshëm.

Në anën e tij, përfaqësuesi i BE-së u shpreh se ky projekt ndryshon paradigmen e prodhimit të energjisë në Kosovë pasi po bëhet një ndryshim i rëndësishëm drejt energjisë më të pastër dhe të volitshme për të gjithë qytetarët.

Kurse i pari i Prishtinës, Përparim Rama, nënshkrimin e marrëveshjeve e quajti moment historik për Prishtinës.

“Sepse garantohet fuqizimi i komunitetit dhe nxitet rritja ekonomike” – ka deklaruar Rama.