Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënkryetari i LDK-së: Mënyra e ndaljes së Haki Rugovës ka pasur indikacione jokorrekte

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se ka pasur indikacione jo korrekte me rastin e arrestimit të bashkëpartiakut të tij, njëherësh kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Ahmeti këtë deklaratë e ka dhënë pasi është pyetur rreth reagimeve dhe akuzave ndaj kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për ndërhyje në drejtësi, pasi ky i fundit ka thënë se arrestimi i Rugovës është bërë me qëllime politike, për ta dëmtuar atë dhe partinë që ata e drejtojnë.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova është arrestuar me urdhër të prokurorisë më 9 tetor të këtij viti, ndërsa Gjykata e Pejës ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Rugovës.

Rugova dyshohet se ka kryer veprat penale konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Imri Ahmeti është shprehur se nuk është e mirë për shoqërinë  dhe për vendin tonë “që njerëzit me prodhu situata të tilla dhe në fund me dalë të pafajshëm”.

“Mendoj që këtu duhet të jemi të përgjegjshëm. E para, pavarësisht emrit të përveçëm ose në të kaluarën ose në të ardhmen, ose të sotmen, nuk mund njerëzit në asnjë mënyrë automatike të ndalen. Nëse ka një shkelje ligjore Imri Ahmeti ose Jeta Xharra le të verifikohet, le të shkohet në procedurë të rregullt gjyqësore, nëse shpallet fajtor ia paftë hajrin burgut, kushdo qoftë”, ka thënë ai në debatin “Jeta në Komunë”.

“Por mënyra e ndaljes vërtetë ka pasur indikacione jo korrekte. Sepse për një zyrtar të lartë fundi i fundit  mënyra  e veprimit nuk është korrekte. Ka një parim, derisa ti nuk shpallës i fajshëm nuk mund të ndalesh. Çka nëse nesër lirohet tërësisht prej aktakuzës?”, ka shtuar ai.

Sipas tij, asnjë qytetar nuk mund të merret në vuajtje të dënimit derisa nuk shpallet fajtor me vendimin final.

“Paraburgosjet janë vetëm në rastet e rrezikut të lartë. Çfarë rreziku e ka pas Hakiu me ikë prej këtu me lyp azil dikun a? Është e panevojshme. Është vlerësim tek e fundit i drejtësisë. Unë mendimin tim ta dhashë. Është jo e mirë për shoqërinë tonë dhe për vendin tonë që njerëzit me prodhu situata të tilla dhe në fund me dalë të pafajshëm”, ka thënë ai.

Ahmeti këto deklarata i ka dhënë në emisionin “Jeta në Komunë” në debatin për Lipjanit përballë asamblistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Jeta në Komunë” ka filluar transmetimin çdo ditë pune në mbrëmje, ku Jeta Xharra ka përballë nga një kryetar komune për të diskutuar mbi problemet dhe sukseset e komunave që nga marrja e mandatit në fund të vitit 2017.

Debati për Lipjanin do të transmetohet në ditët në vazhdim në orën 22:30 në televizionin Dukagjini dhe në faqen e Facebook-ut të KALLXO.com.