Mustafa: Arrestimi i Haki Rugovës, për ta dëmtuar atë dhe LDK-në

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për arrestimin e kryetarit të Istogut, Haki Rugovës, ka thënë se është bërë me qëllime politike, për ta dëmtuar atë dhe partinë që ata e drejtojnë.

“Arrestimi është kryer në ditën kur është diskutuar në parlament 100-ditëshi i Qeverisë. Është një qeveri pa asnjë aferë korruptive. Me këtë është munduar të njolloset qeverisja e LDK-së”, ka thënë Mustafa në një konferencë për shtyp bashkë me avokatin e Haki Rugovës, Besnik Berishën.

Kryetar i LDK-së tha se do t’u drejtohen organeve kompetente për t’iu bërë auditimi procesit, pasi që, siç ka thënë ai, ne jemi dëshmitarë që e njëjta prokurori ose prokurori të tjera nuk po i paraburgosin personat që po hetohen për keqpërdorimet të miliona eurove.

“Ne kërkojmë barazi, ne nuk dëshirojmë të krahasohemi me shembuj të këqij por të ketë drejtësi. LDK kërkon që sistemi i drejtësisë, Prokuroria dhe Policia të qëndrojë larg politikës”, ka thënë Isa Mustafa.

Sot, Gjykata e Pejës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Rugovës dhe një zyrtari tjetër komunal.

Kryetari i Istogut është arrestuar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumenteve.

Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Istogut Haki Rugova përballet me drejtësinë.

Kjo pasi që i njëjti është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit, pikërisht lidhur me detyrën e tij si kryetar i Komunës së Istogut.

“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kreytarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.

https://kallxo.com/lajm/cfare-thoshte-haki-rugova-e-vellai-i-tij-ganiu-per-aksionet-ne-kompanine-familjare-macon-video/