Në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut u dorëzuan peticionet për shkarkimin e kryetarëve

Në Zubin Potok e në Mitrovicë të Veriut janë dorëzuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve të këtyre dy komunave.

Grupet iniciuese kanë dorëzuar peticionet me nënshkrimet e qytetarëve të dy komunave për të shkarkuar kryetarët, Erden Atiq të Mitrovicës së Veriut, dhe Izmir Zeqiri të Zubin Potokut.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i cili ka dhënë detaje lidhur me dorëzimin e peticionit.

Ai tha se peticioni për këtë komunë është dorëzuar rreth orës 13:00 dhe se për këtë është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Janë mbledhur gjithsej 4 mijë e 148 nënshkrime” – tha Uglanin.

Edhe në Zubin Potok sot është dorëzuar peticioni me nënshkrimet e mbledhura. Kryetari i kësaj Komune, Izmir Zeqiri, tha se është njoftuar nga kryesuesi se e ka pranuar peticionin.

Zeqiri tha se nuk ka ndonjë të dhënë se sa është numri total i nënshkrimeve.

Sot afati pritet të mbyllet edhe në Leposaviq. Kjo u konfirmua për KALLXO.com paraditen e sotme nga vetë kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi.

Ai u kontaktua prapë për të parë nëse është dorëzuar peticioni edhe në këtë komunë, mirëpo deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Peticion është duke u nënshkruar edhe në Zveçan, mirëpo krahasuar me tri komunat e tjera, ajo e Zveçanit afatin për nënshkrimin e peticionit do e ketë të hapur deri më 27 janar 2024.

E kjo pasi kërkesa e qytetarëve për të filluar nënshkrimin e peticionit është vonuar për disa ditë në komunë.

Ilir Peci, kryetari i kësaj Komune, tha se procesi është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potoku 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, i paraparë në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për inicimin e largimit të kryetarëve të komunave.

Javën e kaluar ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga veriu i vendit për procesin e nënshkrimit të peticioneve.

Serbët lokalë përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviq, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani fituan zgjedhjet e mbajtura më 23 prill të vitit të kaluar.

Proceset e betimit të Pecit, Hetemit e Zeqirit u përcollën me protesta dhe tensione.

Sot mbyllet afati për nënshkrimin e peticioneve në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut