Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Sot mbyllet afati për nënshkrimin e peticioneve në Leposaviq, Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut

Në tri komunat e veriut të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, sot mbyllet afati për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve të komunave.

Peticion me qëllim të njëjtë është duke u nënshkruar edhe në Zveçan, mirëpo në këtë komunë afati do të mbyllet pas pesë ditëve, më 27 janar 2024.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, i cili ka thënë se presin që sot të dorëzohet peticioni për të vazhduar më pas me procedurat e tjera.

“Po sot mbyllet afati, jam në vendin e punës edhe po i pres. Sot është dita e fundit që duhet me e dorëzu peticionin. Ende nuk kam pranu deri tash diçka, po presim deri në fund të orarit” – tha Ugljanin.

Edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, pati një përgjigje të njëjtë. Ai tha se deri më tani nuk kanë ndonjë informacion nëse janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme.

“Hala nuk na kanë pru diçka, sot gjatë ditës po presim me e dorëzu” – tha Hetemi.

Në Zubin Potok po ashtu sot pritet të dorëzohet peticioni me nënshkrimet e mbledhura. Kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri, tha se deri më tani nuk kanë ndonjë informatë nëse ka përfunduar ose jo i gjithë procesi.

“Sot presim me e dorëzu peticionin” – tha për KALLXO.com Zeqiri.

Në krahasim me këto tri komuna, ajo e Zveçanit afatin për nënshkrimin e peticionit do e ketë të hapur deri më 27 janar 2024.

E kjo pasi kërkesa e serbëve për të filluar nënshkrimin e peticionit është vonuar për disa ditë në komunë.

Ilir Peci, kryetari i kësaj komune tha se procesi është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potoku 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, i paraparë në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për inicimin e largimit të kryetarëve të komunave.

Javën e kaluar ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga veriu i vendit për procesin e nënshkrimit të peticioneve.

Serbët lokalë përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviq, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani fituan zgjedhjet e mbajtura më 23 prill të vitit të kaluar.

Proceset e betimit të Pecit, Hetemit e Zeqiri u përcoll me protesta dhe tensione.