Pika kufitare e Njësive Speciale

Pika kufitare e Njësive Speciale në Jarinjë

Në ‘TikTok’ shpërndahen pamje të Stacionit të Njësisë Kufitare Speciale në Jarinjë

Grupe të ndryshme dhe përdorues tjerë të internetit  kanë nisur të shpërndajnë disa pamje të Stacionit Policor të Njësive Speciale Kufitare të cilat janë vendosur në afërsi të Jarinjës e Bërnjakut.

Këto pamje kanë nisur të publikohen që nga mbrëmë nga përdorues serbë të rrjetit social “TikTok”.

Nga lartë është fokusuar edhe stacioni policor special kufitar që ka zënë vend në atë zonë që nga tetori i vitit të kaluar.

Në pamje shihen kontejnerët e vendosur të policisë, disa buldozerë e veturat si dhe autoblindat e policëve specialë.

Kujtojmë se KALLXO.com vitin e kaluar pati raportuar për 13 ditë nga vendet të cilat ishin barrikaduar në pjesën e veriut të Kosovës, ndërsa kishte raportuar për lëvizje të ndryshme dhe të dyshimta në kodrat që shihen nga Jarinja.

Nga aty persona të uniformuar u panë deri sa vëzhgonin edhe situatën që po zhvillohej në atë zonë. Madje në atë Kohë Serbia lëshoi në qarkullim edhe disa avionë ushtarak.

Në anën tjetër, sot në protestën e cila nisi në orën 13:00, dhjetëra pjesëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, Bosnja e Mali i Zi u panë të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm.

Në pjesën tjetër prej ku zhvillohej protesta, KFOR-i kishte blinduar pikën kufitare ku qëndrojnë njësitë speciale kufitare për të siguruar të njëjtit.

Me tela me gjemba e me forca të shtuara KFOR-i tashmë kishte marrë kontrollin e zonës së pikës kufitare në Jarinjë.

Në përgjigje për KALLXO.com, KFOR tha se deri te ky sigurim i perimetrit në zonën kufitare në Jarinjë kishte ardhur pasi kishin informacione për persona të dyshuar e grupe kriminale të cilët pritej të ishin pjesë e protestës së sotme.

“Sot, pas një koordinimi aktiv me të gjitha palët, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në Jarinje për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo për shkak të prezencës së mundshme të grupeve kriminale mes protestuesve. Është gjithmonë thelbësore që të gjithë personat që marrin pjesë në protestë të shmangin dhunën dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur çdo veprim joproporcional, qëndrim agresiv dhe sjellje që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë e panevojshme”- ka thënë KFOR-i për KALLXO.com.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se gjatë natës ka vazhduar vendosja e një barrikade të re në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative.

Sipas Policisë, që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq. Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Ai po mbahet në paraburgim për veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.