'77 milionë llogari u fshinë nga Tik Toku vetëm gjatë vitit 2023'

Përfaqësuesja e rrjetit Tik Tok, Jade Nester në konferencën për siguri kibernetike “Cyber Zero”, e cila u mbajt më 04.03.2024, ka folur rreth sfidave që kanë.

Ajo tha se vetëm gjatë vitit 2023 janë fshirë 77 milionë llogari nga ky rrjet social, për arsye, siç thotë ajo, kanë qenë nën moshë, apo nën moshën 13-vjeçare.

“Sa i përket të rinjve, kjo është një fushë në të cilën jemi përpjekur të fokusojmë përpjekjet tona të shumta. Jemi e vetmja platformë që në fakt raporton numrat e përdoruesve që janë nën moshë e që duhen larguar nga platforma, si dhe mund ta shihni këtë në raportin tonë të transparencës dhe udhëzimet për komunitetin, raportet e zbatimit. Besoj që në çerekun e tretë të vitit të fundit kemi hequr 20 milionë llogari, vetëm në atë çerek viti. Pra, sasia totale e llogarive që kemi larguar vitin e kaluar më duket ka qenë afro 77 milionë, për shkak se kanë qenë nën moshë, apo nën moshën 13-vjeçare, është diçka që kemi qenë tejet agresivë, si dhe prapë, siç e përmenda në prezantim, ka një numër qasjesh që ndërmarrim për t’u ballafaquar me atë çështje”- ka thënë Nester.

Tutje ajo ka shpjeguar edhe se si po përpiqen të dizajnojnë rrjetin social Tik Tok për të rinjtë.

“Për shembull, së voni kemi bërë disa ndryshime për sa i përket kohës së kaluar në ekran. Fillimisht, kemi bërë kërkime me ekspertë për çështjen e kohës së kaluar në ekran, si dhe sa gjatë është tepër, si dhe nuk është se ka ndonjë lloj pajtimi ndërkombëtar, që është zhvilluar në atë temë të posaçme. Por, kur flasim me të rinjtë dhe prindërit e tyre, na thonë që duan të jenë në gjendje të marrin vetë vendime mbi atë se sa kohë duhet të qëndrojnë në internet. Ta zëmë kur mësojnë për provime, duan të kufizojnë kohën e kaluar në ekran, por kur një ditë e fundjavës është e vranët, atëherë duan më shumë kohë” – shtoi tutje ajo

Ndryshe, prej 4 deri në 6  mars në Prishtinë u mbajt edicioni i tetë i konferencës ndërkombëtare për siguri kibernetike “Cyber Zero” në Ballkanin Perëndimor e organizuar nga Shoqata Kibernetike Shqiptare dhe Findbug.

Në këtë konferencë morën pjesë, zyrtarë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, zyrtarë të rrjetit social Tik Tok, ish zyrtarë të AKI-së dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.